Dëbimet nga VMRO-DPMNE, Gruevski: Nuk i di arsyet, dëshiroj VMRO të fortë
Ish kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski, nuk i ka të qarta argumentet....

Ish kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski, nuk i ka të qarta argumentet në bazë të të cilave kryesia aktuale e partisë më të madhe opozitare vendosi të pastrojë radhët e saj nga disa funksionarë të lartë të partisë, mes tyre edhe nga ish krahu i djathtë i tij, Sasho Mijallkov. Ai tha vetëm se dëshiron një VMRO të fortë.
I pyetur nëse ishte i ftuar në festimet e opozitës që ka drejtuar deri dje, u përgjigj shkurt po, por nuk ka shkuar për shkak të obligimeve të tjera.
“Nuk i di të gjitha argumentet e veçanërisht të gjitha dëshmitë me të cilat disponon kryesia e VMRO-DPMNE-së e në bazë të të cilave bazon vendimet e saj. Do të doja të mos komentoj, sepse mund të gaboj në një drejtim ose në një tjetër. Por, ajo që unë di është se dëshiroj një VMRO-DPMNE të fortë, të bashkuar dhe fituese, që shumë shpejt do ta rrëzojë këtë qeveri, sepse edhe në të shkuarën u tregua se çdo herë që VMRO është e fortë, Maqedonia është e fortë . Unë besoj se këtë e dëshirojnë edhe qytetarët”,- tha ish kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
