Tensionet Greqi - Turqi, anijet luftarake zbarkojnë në Egje

24.10.2018 15:06

Deklaratat politike të qeverisë greke dhe kundërpërgjigja turke janë përkthyer me lëvizje intensive të anijeve luftarake...

Deklaratat politike të qeverisë greke dhe kundërpërgjigja turke janë përkthyer me lëvizje intensive të anijeve luftarake në Egje në pritje të urdhrave për të vepruar. Kryeministri Tsipras thotë se Greqia ka të drejtë në bazë të ligjit ndërkombëtar, që të zgjerojë hapësirën e saj detare me 12 milje, bazuar në ligjet ndërkombëtare. Ankaraja u kumndërpërgjigj se Asambleja e Madhe turke në deklaratën e votuar më 8 qershor 1995 ka saktësuar se, nëse Greqia zgjeron ujërat territoriale në detin Egje përtej 6 miljeve, parlamenti turk do t’i japë qeverisë “të gjitha kompetencat”, duke përfshirë fuqitë ushtarake, për të mbrojtur interesat e Turqisë.

Anija turke e shpëtim-kërkimit “Hajredin Pasha” dhe dy fregata ushtarake në Mesdheun lindor, që u dërguan këtë javë pranë ujërave greke për të eksploruar gazin natyror, u detyruan të tërhiqeshin. Më parë, këtë javë, Ankaraja lëshoi një teleks lundrues për të eksploruar për gaz rreth zonës ekonomike ekskluzive të Qipros.

Ministria e Jashtme turke tha se Turqia po ushtronte të drejtën e saj sovrane për të eksploruar për gaz, duke thënë se pretendimet greke të sovranitetit ishin joreale dhe të dëmshme për marrëdhëniet dypalëshe dhe stabilitetin rajonal.

Gjiganti amerikan i  naftës - ExxonMobil - do të eksplorojë për gazin natyror në zonë javën e ardhshme, një vendim që mund të intensifikojë më tej tensionet midis Uashingtonit, Ankarasë dhe Athinës. (Gyltene Sinani, TVM2)