Botë
Trump: Vrasja e gazetarit Khashoggi, komploti më i keq
24.10.2018 11:49
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se përgjigjja e Arabisë Saudite....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se përgjigjja e Arabisë Saudite ndaj vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka qenë përpjekja më e keqe në histori për të fshehur të vërtetën.
Trump tha për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se kushdo që e organizoi komplotin "duhet të jetë në telashe të mëdha". ShBA-ja u përball me presion të madh për të ashpërsuar qëndrimin ndaj Arabisë Saudite - aleate kyçe e saj. Arabia Saudite ka ofruar raporte kundërthënëse për fatin e Khashoggit, banor i ShBA-së dhe kontribues në gazetën “Washington Post”.
Pas disa javësh këmbënguljeje si ai është i gjallë, autoritetet saudite thonë tani se Khashoggi, 59 vjeç, ka vdekur pas një përleshjeje që ka ndodhur pasi ka vizituar konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara "do t'i dënojnë përgjegjësit" dhe se do t'i anulojnë vizat për 21 të dyshuar të identifikuar.
Në një intervistë të veçantë për gazetën Wall Street Journal, Trump përmendi përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të lartë sauditë në vrasjen e Khashoggit, por tha se nuk beson se mbreti saudit, Salman, ka pasur njohuri paraprake për krimin.
