Maqedoni

Raporti për konkurrencë globale, Maqedonia në vendin e 84

24.10.2018 12:50

Maqedonia renditet ndër ekonomitë më të dobëta në Evropë lidhur me konkurrencën e ekonomisë vendore.....

Sipas raportit për konkurrencë globale, ekonomia e Maqedonisë është pozicionuar në vendin e 84-ët duke shënuar rënie prej 22 vendeve në raport me vitin 2016. Më dobët në Evropën juglindore janë radhitur vetëm Moldavia në vendin e 88 dhe Bosnje e Hercegovina në vendin e 91-të, tregon raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror që mat konkurrencën e 140 shteteve në botë.
 
Maqedonia, notat më të mira i ka shënuar në fushën e shëndetësisë me 80 pikë nga 100 të mundshme, stabilitetin makroekonomik ku ka fituar 74.6 pikë dhe dinamizmin në biznes ku ka fituar 61.2 pikë.
 
Notat më të dobëta janë fituar në kapacitetin e inovacioneve me 31.1 për qind, madhësinë e tregut me 39.2 për qind, dhe funksionimin e institucioneve me 50.6 për qind. Notat e dobëta në raport kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, mbrojtjen e dobët të pronësisë intelektuale dhe fizike, si dhe joefikasitetin e ligjeve. 
 
Nga shtetet e tjera të rajonit, Kroacia shënon rënie nga vendi i 66 në vendin e 68, Mali i zi ka avancuar dy vende duke u renditur në vendin e 71-të, ndërsa Shqipëria renditet në vendin e 76-të në botë duke shënuar përparim për katër vende në listë në raport me vitin paraprak kur ka qenë e 80-ta në listë.
 
Përparim shënon edhe Serbia nga vendi i 70 në vendin e 65. Bosnje e Hercegovina me vendin 91 renditet për një bend më dobët se vitin paraprak dhe është ekonomia pak konkurruese në rajon. Sllovenia vazhdon të mbajë vendin e 35 në botë.