Maqedoni
Kërkesa për amnisti për “27 prillin”, Boshnjakovski: Të shohim çfarë do të ndodhë në Kuvend
24.10.2018 15:29
Pajtim dhe bashkim nacional, ky vazhdon të jetë angazhimi i qeverisë por duke komentuar kërkesën e kreut të VMRO-së...

Pajtim dhe bashkim nacional, ky vazhdon të jetë angazhimi i qeverisë por duke komentuar kërkesën e kreut të VMRO-së, Hristjan Mickovskit, për amnisti për “27 prillin”, zëdhënësi qeveritar, Boshnjakovski, thotë se gjithçka varet prej asaj që do të ndodh në parlament ditëve në vijim, por sigurisht në suaza të shtetit të së drejtës.
“Maqedonia është shtet i së drejtës, kështu që në periudhën që është para nesh do të shohim se si do të fillojë çështja në suaza të parlamentit për procesin e pajtimit për rastin e 27 prillit. Do të shohim se çka do të ndodh më tutje në parlament”,- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Saiti: Amnistia, në kompetenca të politikës
Edhe nga Shoqata e gjykatësve thonë se për amnisti eventuale vendos politika.
“Gjykatësit janë këtu të gjykojnë në korniza ligjore dhe t’i kryejnë kompetencat e tyre për procedurat e ngritura. Çështja e amnistisë është e vendosur në teren tjetër, gjegjësisht ajo bisedohet në nivel tani për tani të partive politike sipas disa informative dhe do të vendosen gjithashtu në teren tjetër, kjo do të thotë në Kuvend apo tjetër institucion”,- tha kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti.
Qeveria ndërkohë po punon në përgatitjen e projekt – amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, por akoma nuk ka datë precize se kur do të dorëzohen në parlament.
“Në momentin nuk kemi datë dhe kohë precize. Siç e dini, duam t’i shkurtojmë afatet sa më tepër që është e mundur”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Qeveria siguron se procesi do të jetë inkluziv dhe të gjithë deputetët do të marrin pjesë në punën finale të përgatitjes së amendamenteve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
