Maqedoni
Ndotja e ajrit, VMRO-DPMNE: Miliona për luks, shkurtohet buxheti për ajrin
24.10.2018 15:53
VMRO akuzon qeverinë se edhe sivjet nuk ka ndërmarrë asgjë për të ruajtur gjënë më ekzistenciale për jetën e qytetarëve, ajrin.....

Buxheti i dedikuar për ruajtjen e ambientit jetësor u shkurtua për 2 milion euro dhe stacionet matëse nuk funksionojnë. Por, sipas tyre, mungesa e aparateve matëse nuk fsheh dot faktin se qytetarët thithin ajër të ndotur dhe qeveria nuk ka asnjë plan të përmirësojë gjendjen.
Nuk ka asnjë projekt të ri nga Ministria e Ekologjisë, janë vënë në pikëpyetje fondet IPA për 4 deponitë rajonale dhe vendi rrezikon të humbasë 50 milion euro, akuzojnë nga VMRO.
“Në vend të përmirësimit të cilësisë së ajrit, Zaev paratë e qytetarëve i shpenzoi në tenderët milionëshe të realizuar në katër sy, për blerjen e produkteve luksoze, luleve për qeverinë prej 600 e 70 mijë euro, kafe për 40 mijë euro, tender prej 1milion e 600 mijë euro për lubrikantë. Nga anën tjetër, stacionet matëse për matjen e cilësisë së ajrit në më shumë lokacione edhe nuk funksionojnë, ndërsa në buxhet nuk ka mjete për të reja. Por, Qeveria duhet ta dijë se fakti që nuk ka stacione matëse nuk e ndryshon gjendjen e ajrit të ndotur. Qyteti i Shkupit, por edhe qytetet tjera të cilat vitet e kaluar kanë thyer rekorde në ndotjen e ajrit, as këtë dimër nuk do shmangin këtë problem, sepse qeveria nuk bëri asgjë nga ajo që premtoi”,- tha Violeta Kovaceviq nga VMRO-DPMNE.
VLORA LATIFI TOPOJANI
