Maqedoni
Cerar: Anëtarësimi çështje kohe, me rëndësi reformat
24.10.2018 16:18
Sllovenia mbetet një partner i vendosur i Maqedonisë dhe mbështet të gjitha funksionet historike që ajo merr në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s...

Nënkryetari i qeverisë sllovene dhe ministri i jashtëm, Miro Cerar, përshëndeti në Shkup shumicën e arritur prej 2/3 në parlament dhe potencoi se për Slloveninë ky rezultat është i ligjshëm. Sipas tij, vendimet historike që duhet të marrë Maqedonia, do të jenë të rëndësishme për të gjithë rajonin.
“Jam i vetëdijshëm se referendumi konsultativ nuk e përmbushi pragun ligjor për cenzus, por ne mendojmë se rezultati ishte pozitiv dhe dërgoi një mesazh të fortë nga populli për t'u bashkuar me BE-në dhe NATO-n, dhe prandaj ky proces në Parlament është i ligjshëm. Çështja e anëtarësimit duhet të jetë vetëm çështje kohe, negociatat paraaderuese që Maqedonia meriton, duhet të fillojnë. Pa reforma nuk mund të arrihen rezultate të cilat do ta çonin Maqedoninë në këtë kohë dinamike, nuk mund të përballet me sfidat dhe të jetë konkurrent”,- tha ministri i jashtëm i Sllovenisë, Miro Cerar.
Dimitrov: Është mirë ta dimë se mbështetemi nga miqtë
Në negociatat për anëtarësimin e vendit në NATO prej janarit të 2019, Sllovenia do të jetë kontakt-ambasada për Maqedoninë si lidhje me Aleancën. Këtë detyre do ta marrë nga Bosnja dhe Hercegovina. Për shefin e Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, bashkëpunimi duhet të vazhdojë.
“Në këtë drejtim të rrisim tregtinë me investime të reja, sepse Sllovenia është vend që do na japi mbështetjen në integrimin e vendit tonë në NATO dhe BE. M’u bë ftesë të shkoj në Lubjanë, vend në të cilin nuk kam qenë. Është mirë që gjatë këtij viti të shkojmë në vendet ku kemi miq dhe jo problem”,- tha ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Cerar është pritur edhe nga presidenti Ivanov.
FARIJE DAUTI BAKIJU
