Maqedoni

“Titanik”, dëgjohen “bombat” rreth “pazareve” për Qendrën

24.10.2018 17:04

Përgjimet e njohura si “bomba” , të cilat janë provë e PSP-së në rastin “Titanik”m vazhdojnë të tronditin opinionin...

Në bisedat e reja që u dëgjuan gjatë seancës gjyqësore, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, e informon ish ministrin e transportit dhe lidhjeve, Janakievskin, se kinse janë marrë vesh me BDI-në dhe PDSh-në, që rreth 800 votues të tyre t’ua japin kandidatit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Todoroviqit, në zgjedhjet komunale në Qendër.
 
“U morëm vesh që për çdo shtëpi të ketë nga një person që të bartë votues. 400 do të na japin BDI e 400 të tjera do të japin PDSh”,- dëgjohet Mijallkovin në përgjim.
 
U dëgjuan edhe presionet e Janakievskit mbi votuesit në administratën publike dhe shtetërore dhe koordinimi i kompanive private për të nxjerrë punonjësit e sektorit privat për të votuar për Todoroviqin.
 
“Me 12 institucione e mbarova. Kam përpunuar gjithë sistemin e votimit, shumë është i mirë. Me kompaninë “Zegin” veç më biseduam për të njëjtën”,- dëgjohet Janakievski në përgjim. 
 
PSP në “Titanik” akuzon ish kryeministri Gruevski bashkë me ministrat dhe funksionarë të tjerë të lartë të VMRO-së për shkelje të së drejtës së votës, të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe shpërdorimin e fondeve për financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-së në vitet 2011 dhe 2013.
 
REXHEP QAMILI