Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Zendeli: Intervenojmë në 4 amendamente; Sela: Presim mirëkuptim nga subjektet maqedonase
24.10.2018 17:18
Lëvizja “Besa” e Bilall Kasamit, prezantoi propozime konkrete të cilat do të kërkojnë të miratohen gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese....

Bëhet fjalë për intervenim në 4 amendamente që i referohen preambulës, gjuhës shqipe, kujdesit për shtetasit jashtë vendit dhe kompetencave të kryetarit pas miratimit të ligjeve për herë të dytë.
“Amendamenti i parë ka të bëjë me preambulën dhe ne e vlerësojmë dhe propozojmë si amendament nga ana e qeverisë të propozohet versioni i preambulës i cili u aprovua në MO. Amendamenti i dytë ka të bëjë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Pastaj propozojmë që në nenin 49, që është edhe pjesë e marrëveshjes së Prespës, vlerësojmë se qeveria shteti dhe institucionet duhet të kujdesen ndaj të gjithë qytetarëve të saj pa marrë parasysh etninë. Edhe amendamenti i katërt, vlerësojmë se në kontekstin aktual është shumë i rëndësishëm. Duhen të ndërtohen mekanizma brenda nenit përkatës me të cilin do të përcaktohet se pas votimit të dytë brenda nja afati kohor, që mund të jetë 7 ditë, nëse presidenti i shtetit nuk e dekreton ligjin ai të mundet nga ana e kryetarit të kuvendit edhe pa nënshkrimin e tij të publikohet”,- tha deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët do të intervenojnë me amendamente.
“Në kuadër të këtij procesi, i cili aludon që shtetin ta bëjë më të drejtë më demokratik, ashtu siç ne kemi pasur dhe kemi mirëkuptim për identitetin dhe gjuhën e bashkëqytetarëve maqedonas, njësoj edhe deputetët e subjekteve politike maqedonase duhet të kenë mirëkuptim për gjuhën tonë dhe gjuha jonë nuk mund të quhet e ndryshme nga maqedonishtja, por gjuha jonë duhet të jetë gjuhë shqipe, ashtu siç është dhe siç i takon. Me fjalë tjera, ne nuk do të heqim dorë nga amendamentet tona dhe kur do të vijë momenti ne do të ndërhyjmë si ASh me amendamente. Mirë është që të mos i bëjmë vetë sepse nuk është ideja për të bërë garë politike”,- tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Propozim amendamentet pritet të arrijnë në kuvend deri ditën e premte ndonëse afati për dorëzimin e tyre është 15 ditë.
NAIM RAMADANI
