Maqedoni
UNICEF: Një në dy fëmijë në Maqedoni dhunohet fizikisht
24.10.2018 17:29
Dhuna ndaj fëmijëve në Maqedoni është alarmante...

Një në dy fëmijë është i dhunuar tregojnë të dhënat e hulumtimit të UNICEF-it për vendin tonë. Sipas hulumtimit shifrat e dhunës ndaj fëmijëve në Maqedoni tejkalojnë shifrat që vijnë nga Kosova, megjithatë situatë më e keq në këtë drejtim shihet në Shqipëri.
“Në Ballkanin Perëndimor statistika e përgjithshme është se një nga tre fëmijët janë të dhunuar fizikisht. Në vendin tuaj kjo përqindje është me e madhe që do të thotë një nga dy fëmijët janë të dhunuar fizikisht”,- tha përfaqësuesi i UNICEF-it në Maqedoni, Benjamin Preks.
Psikologu, Lulzim Murtezani, kërkon masa urgjente nga institucionet për parandalimin e këtij fenomeni. Shqetësuese për të është mentaliteti që në shumë raste pengon viktimat të lajmërojnë dhunën.
“Kemi të bëjmë me një kulturë interesante, me një mentalitet i cili po ashtu është i prirë që disa gjëra të jenë të fshehura dhe nuk denoncohet dhuna. Shkaqet dhe arsyet e dhunës ndaj fëmijëve, ndaj kësaj kategorie shumë të ndjeshme janë shumë shkaqe të krizës, marrëdhënieve të çrregulluara në familje. Ushtrimi i dhunës tek fëmijët le pasoja, ndonjëherë edhe të pariparueshme në zhvillimin e tij”,- tha psikologu, Lulzim Murtezani.
Psikologët kërkojnë sanksione më të forta ndaj dhunuesve dhe fushata sensibilizimi dhe të promovimit të dialogut mes njerëzve. Nga Ministria e Brendshme paralajmërojnë reforma në legjislativë. Aktualisht për mbrojtjen e viktimave, Qendra për Punë Sociale ndërmerr mbrojtje shëndetësore, intervenim dhe trajtim psikofizik, ndihmë familjes për arsim të fëmijës.
VISAR SADIKI
