Maqedoni
Amendamentet kushtetuese nga partitë shqiptare, Memedi: Mund të cenohet shumica prej 80 deputetëve
24.10.2018 17:37
Parlamenti është gati të nis debatin konstruktiv për katër projekt-amendamentet e qeverisë dhe presin...

Parlamenti është gati të nis debatin konstruktiv për katër projekt-amendamentet e qeverisë dhe presin që partitë politike të fokusohen në këto drafte të qeverisë që kanë të bëjnë me kontestin dypalësh Maqedoni-Greqi. Nënkryetari i parlamentit, Vejsel Memedi, në “Argument” në TVM2, druan se propozim-amendamentet që mund të vijnë nga partitë politike mund të cenojë mazhorancën prej 80 deputetëve që mundësuan hapjen e kushtetutës.
“80 votat që u siguruan në fazën e parë janë për këtë marrëveshje dhe tani çfarë mund të ndodh nesër nëse dikush nga partitë politike shqiptare del tërësisht me amendamente tjera? A do të jenë të njëjtët 80 deputetë? Unë dyshoj, për shkak se ka qenë shumë vështirë të grumbullohet ky numër 80. Ndoshta askush në Maqedoni nuk e ka besuar se do të arrihet numri 80, ja që u arrit numri 80 dhe dikush të tentojë që ta cenojë këtë numër dhe këtë mazhorancë të dy të tretave, mund ta bëjë këtë”,- tha nënkryetar i kuvendit, Vejsel Memedi.
Ndryshimet kushtetuese, Zejneli: Partitë shqiptare të ndërhyjnë që në qeveri
Profesori universitar, Jusuf Zejneli, thotë se për t’u avancuar statusi i shqiptarëve me kushtetutë, nevojitet angazhim i partive shqiptare brenda ekzekutivit. Ato duhet të ndërhyjnë në përpilimin e projekt-amendamenteve të qeverisë, thotë Zejneli.
“Shumica e subjekteve janë pjesë e qeverisë dhe në anën tjetër bisedohet për amendamentet, në fakt ato janë gatuesit të katër projekt-amendamenteve, që në start e kanë shansin për të ndërhyrë. Tani sa është mundësia e ndërhyrjes, sigurisht se janë shumë faktorë, kemi edhe komunitetin ndërkombëtar, por gjithsesi duhet të ruhen interesat e të gjithë qytetarëve që Maqedonia të funksionojë si shtet multietnik”,- u shpreh profesori universitar, Jusuf Zejneli.
Propozimet e partive do të vijnë në diskutim pas shterjes së debatit në komisionet kushtetuese dhe juridike për amendamentet e qeverisë për 24 ditë dhe debatit publik. Pas kësaj vijon faza e tretë e mbylljes së kushtetutës. Memedi thotë se Maqedonia deri në fund do të ketë mbi kokë faktorin ndërkombëtar, për mos lejuar devijime me pasoja rajonale.
MERAL ISMAILI
