TURQI

Erdogan, shpall fitoren

11.08.2014 11:30

Rexhep Taip Erdogan, është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Turqi, me rreth 52% të votave......

Erdogan, ka fituar që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale turke, duke u bërë në moshën 60 vjeç presidenti i parë turk, që zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli i tij.

Pas tre mandatesh si kryeministër, lideri i partisë islamike AKP, prej 12 vitesh në pushtet, do të ketë një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në letër, por edhe në praktikë, sepse gjatë gjithë fushatës, Erdogan ka premtuar se një gjë e tillë do të ndryshojë. Erdogan, i cili foli menjëherë pas daljes së rezultateve paraprake, tha se populli arriti të tregojë vullnetin e tij. Mesazhi i një fitoreje bindëse nuk ishte vetëm duke thënë se do të jetë një president për të gjithë, por dhe tani për Turqinë fillon një epokë e re e unifikimit social dhe mosmarrëveshjet duhet lënë pas.

"Unë, nuk do të jem vetëm  president i atyre që votuan për mua, unë do të jem president i 77 milion njerëzve. Sot, vullneti kombëtar fitoi edhe një herë, sot demokracia fitoi edhe një herë. Do të nisim që tani një periudhë të re të unifikimit social, duke lënë mosmarrëveshjet e vjetra pas krahëve”- deklaroi presidenti i ri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.  

Erdogan, bëhet presidenti i parë i vendit, i zgjedhur me votën e popullit pas më shumë se një dekadë në postin e kryeministrit të vendit, kohë gjatë së cilës Turqia është shfaqur si një fuqi ekonomike rajonale, por që me mbështetjen e gjerë konservatore fetare, ajo po transformohet shumë nga Republika laike e themeluar prej Mustafa Kemal Ataturk, në vitin 1923.

Në këto zgjedhje, ai arriti të marrë më shumë se 50% + 1 të votave, duke u shpallur që në këtë raund fitues. Erdogan, si një  premtues i një presidence të fortë, i cili në një pjesë të shoqërisë dhe në opozitën laike  ka ngjallur frikën e një autoriteti absolut, ka potencuar se ata që e akuzojnë si një diktator, duhet të merren me ndërgjegjen e tyre.

Prej më shumë se një viti, mbi Erdogan ka pasur akuza të shumta dhe kritika për shtypjen e manifestimeve në Stamboll, censurën në media, bllokimin e rrjeteve sociale, skandalin e korrupsionit ku u përfshinë shumë personalitete të partisë së tij.

Tendenca gjithnjë e më shumë islamiko-konservatore, ka frenuar dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, por pavarësisht kësaj, mbështetja është shtuar, nisur dhe nga rritja ekonomike, si dhe nga retorika e bazuar në identitetin turk dhe mysliman.

Në garën elektorale për postin e kreut të Shtetit, kandiduan edhe Ekmeledin Ihsanoglu, i cili mori 38% të votave dhe Selahatin Demirtas, politikan kurd dhe njëherësh udhëheqës i Partisë së krahut të majtë Popullor, i cili arriti të marrë rreth 10% të votave.  Ihsanoglu, kandidati i përbashkët për të dy partitë kryesore të opozitës, uroi kundërshtarin e tij për fitoren, me fjalët: “Unë e përgëzoj zotin kryeministër dhe i uroj atij suksese”- ka thënë Ihsanoglu. (Merita Gashi, TVM2)