Maqedoni

Falja dhe pajtimi nacional, Zaev dhe Sela nuk kuptohen

24.10.2018 18:10

Ende nuk dihet se deri ku do të shkojë gatishmëria e pushtetit për të falur të involvuarit në dhunën e 27 prillit në Kuvend....

Termet e përdorura nga kryeministri për falje dhe pajtim nacional, edhe pse u komentuan fillimisht si amnisti, në fakt janë terme të cilat duhet të definohen në Kuvend. Kryeministri, Zoran Zaev, indirekt e ka mbyllur mundësinë për amnisti me sqarimin se gjyqësori duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur, pa sugjerime dhe ndikime. 
 
“Disa herë e kam thënë dhe atëherë kur kam thirrur për pajtim nacional, kam potencuar dhe do te potencoj, nuk e kemi ndërmend që të përzihemi në organet gjyqësore. Kuvendi ka kompetencat e veta dhe këtu nëpërmjet këtyre trupave që janë propozuar dhe pranuar nga ana jonë, mund ta gjejmë mënyrën për t’i ecur hapat që duhen kaluar për falje dhe se çdokush e di se sa është e rëndësishme kjo çështje për ne”,- tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
 
Por, për liderin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, deklaratat e tilla të kryeministrit nuk janë të qarta dhe fton Zaevin të sqarojë se çfarë nënkupton me falje. 
 
“Maqedonia pretendojmë që është demokraci parlamentare dhe nuk është monarki që qeveris një monark dhe pse tendenca të tilla gjatë krizës politike ka pasur. Pyetja që lind për këtë faljen që pastaj vrapojnë pinjollët e pushtetit për ta arsyetuar ngjan si  shprehja: një budalla hedh gurin në pus dhe pastaj 100 të mençur se nxjerrin dot”,- tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
 
Sela sqaron se falja bëhet vetëm nëpërmjet sistemit gjyqësor, por nëse dikush propozon marrëveshje për falje për hir të eurointegrimeve, kjo marrëveshje duhet formuluar e tillë që të përfshijë të gjitha bashkësitë etnike.
 
“Një falje e tillë dhe një konsensus brendanacional tani në prag të anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE, ka kuptim vetëm në një formë, nëse hapet tema e një marrëveshjeje të brendshme që duhet bërë mes dy komuniteteve më të mëdha... në këtë kuptim dhe këtë formë Aleanca për Shqiptarët do ta përkrah një iniciativë të tillë dhe është e gatshme që të bëjë dhe kompromiset e saj. Për t’u amnistuar nga 27 prill ka vetëm një rrugë, janë rrugët institucionale, janë rrugët e gjykatave dhe ata duhet të përgjigjen për atë që kanë bërë natën e 27 prillit”,- theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
 
Sfidë kryesore e qeverisë mbetet gjithsesi bindja e grupin parlamentar të VMRO-së që të delegojë anëtarë në trupën kuvendore për pajtim nacional. Kreu opozitar e ka bërë të qartë tashmë se opozita nuk e ka ndërmend që të involvohet në proces që, sipas tij, ka për qëllim ndarje të drejtësisë selektive. 
 
GAZMEND REXHEPI