Maqedoni
Operatori ekonomik i autorizuar, thjeshtësim i procedurave doganore
24.10.2018 18:32
Drejtoria Doganore dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë promovojnë konceptin e operatorit ekonomik të autorizuar...

Drejtoria Doganore dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë promovojnë konceptin e operatorit ekonomik të autorizuar, që është një markë e njohur ndërkombëtarisht për kualitet. Bëhet fjalë për prodhuesit vendorë, eksportuesit dhe transportuesit të cilët përfitojnë siguri në zinxhirin ndërkombëtar për furnizim.
Komuniteti i biznesit beson se kjo është një sfidë që do të përmirësojë avantazhin konkurrues të kompanive. Në afat të gjatë, ata do të kenë procedura më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira, që janë të rëndësishme për kompanitë.
“Përmes operatorit ekonomik të autorizuar, lehtësohet dhe përshpejtohet tregtia ndërkombëtare dhe se procedurat doganore zhvillohen në kohë minimale vetëm për kontrollimin e dokumenteve dhe gjithashtu zvogëlohen edhe shpenzimet për subjektet ekonomike”,- tha drejtori i Drejtorisë doganore, Gjoko Tanasoski.
Koncepti i operatorit ekonomik të autorizuar është një nga instrumentet për lehtësimin e tregtisë. Ky koncept ka kohë që është promovuar nga Organizata Botërore e Doganave dhe është pranuar nga shumë vende.
SEDAT SELIMI
