Ekonomi
Asociacioni E-tregtia, blerjet online shënojnë rritjen për 20%
26.10.2018 20:02
Qytetarët e Maqedonisë kanë shpenzuar 63 milionë euro në gjashtë muajt e parë të këtij viti për blerje online, që paraqet rritje prej 20% në krahasim me vitin e kaluar....

Nga Asociacioni E-tregti thonë se sipas të dhënave, vetëm 20% e popullatës me qasje në internet e shfrytëzojnë mundësinë për E-tregtisë. Të dhënat tregojnë edhe rritje të përqindjes së shitjes përmes shitoreve elektronike vendore.
“Kemi rritje prej 20% në shitjet online, përkatësisht qytetarët e Maqedonisë kanë shpenzuar 63 milionë euro në gjysmë vjetorin e parë të 2018-s për shitje online. Nëse bëjmë krahasim me vitin e kaluar, siç thashë, ajo është 20% rritje nga vlera e përgjithshme, kurse ajo që është pozitive dhe na gëzon është se rritja drejt tregjeve vendore është më e madhe se sa rritja e kompanive të huaja”,- tha kryetarja e Asociacionit E-tregtia, Nina Angellova.
Pagesa përmes kartelave, serverët e sigurtë dhe besimi tek dërgesat postare janë arsyet kryesore për të cilat qytetarët vendosin të blejnë online.
“E-tregtia adaptohet në shoqërinë moderne, por edhe krijon përvoja jashtë pritjeve të qytetarëve. Ajo u mundëson që të bëjnë pagesa digjitale të sigurta”,- tha menaxherja nga Bullgaria, Vanya Manova.
Nga Fondi për Inovacione theksojnë se fokusi i E-biznesit vazhdon edhe vitin tjetër, kurse mbështetja për kompanitë online është 12.5 milion euro. Në vijim është edhe përgatitja e një strategjie të re për siguri, cyber.
ERSAN PARAZITI
