Maqedoni

VMRO-DPMNE: Të hënën me propozim-ligj për amnisti

26.10.2018 20:11

Pushteti dhe opozita, të ndarë rreth themelimit të Komisionit parlamentar për pajtim.....

LSDM pret që të formohet komisioni, ndërkaq besojnë se në të do të kyçen të gjitha grupet parlamentare. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja të hënën do të dorëzojë propozim-ligj për amnisti me procedurë të shkurtë në Kuvend për të gjithë të akuzuarit e 27 prillit të vitit të kaluar. 
 
“Sa i përket amnistisë, duhet të theksoj se VMRO-DPMNE do të paraqesë një ligj për amnistinë për të gjithë personat nga ngjarjet më 27 prillit, me procedurë të shkurtuar”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
“Komisioni për Pajtim për të cilin ne thërrasim, do të formohet dhe në të do të marrin pjesë të gjithë deputetët nga të gjitha grupet parlamentare. Besoj se opozita do t’i tejkalojë problemet brendapartiake dhe do t’i artikulojë interesat e tyre, që të jenë nën interesat nacionale dhe do t’i bashkëngjiten komisionit”,- u shpreh Aleksandar Kiracovski nga LSDM.
 
Me rëndësi është që vullneti politik është dëshmuar në këtë drejtim, thonë nga BDI.
 
“Edhe në të kaluarën ka pasur kështu raste, prandaj dëshiroj të nënvizoj se ajo që është me rëndësi është fakti se është dëshmuar vullneti politik, i cili vullnet politik normalisht do të duhet të reflektohet në ndonjë ligj”,- tha Teuta Arifi nga BDI.
 
Formim të një komisioni parlamentar për pajtim kanë kërkuar edhe 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni.
 
NAIM RAMADANI