Botë
Prokuroria e Krimeve të Rënda: Kryebashkiaku i Durrësit, nën hetime
26.10.2018 20:14
Vangjush Dako - kryebashkiak i Durrësit, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për ato që njihen si krime elektorale, përfshi punësimet e jashtëligjshme në bashki...

Burime nga prokuroria thonë se Dako po hetohet pas publikimit të përgjimeve me grupin kriminal të Shijakut, ku është kapur duke folur para dhe pas zgjedhjeve të 2017. Në një nga këto përgjime, prokuroria ka regjistruar një bisedë mes kryebashkiakut të Durrës dhe një personi tjetër me pseudonimin Nicja, i quajtur Altin Avdyli, pjesë e bandës së Shijakut, tashmë i arrestuar. Pas përgjimeve ka reaguar Lulzim Basha, i cili thotë se Vangjush Dako duhet të arrestohet.
“Duhet urgjentisht një hetim i posaçëm dhe i pavarur për këtë operacion kriminal. Vangjush Dako është i pari që duhet të merret i pandehur”,- shkruan Basha. Këtyre deklaratave i është përgjigjur kryebashkiaku i Durrësit, i cili shprehet se ai ia hap telefonin të gjithëve, sipas tij, ndryshe nga sa vepron kryedemokrati Basha.
“Unë nuk i kam duart as me gjak, as me zhul eurosh si puna jote”,- i është drejtuar Bashës, Dako.
LULJETA NDOKA
