Kosovë, 40 të arrestuar nën dyshimin se kanë luftuar në Siri
40 persona, të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, përkrah organizatave të shpallura terroriste, si ISIS dhe Al-Nusra, janë arrestuar nga Policia e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm......

Në cilësi të provave materiale, janë konfiskuar materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë mjete eksplozive, armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin.
Policia e Kosovës, iu bën thirrje të gjithë personave që mos të bien pre e joshjeve dhe premtimeve të pavërteta dhe se për çdo rast të njoftojnë Policinë. Operacioni ka marrë edhe mbështetjen e Qeverisë në largim të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, u bën ftesë qytetarëve të Kosovës, që “me këmbëngulje të kundërshtojnë çfarëdo forme të shprehjes së ekstremizmit. Toleranca ndërfetare dhe ndëretnike, bashkëpunimi dhe komunikimi i ndërsjellë, gjithmonë kanë qenë dhe do të mbesin vlera të pacenuara të shoqërisë sonë. Çdo kërcënim ndaj këtyre vlerave fondamentale të Shtetit dhe shoqërisë sonë, do të ndëshkohet pamëshirshëm”- thuhet në komunikatën e Qeverisë në largim.
Të njëjtën mbështetje dha edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Nga Siria e Iraku, deri më tani janë deklaruar 16 persona të vrarë, e që janë shtetas të Republikës së Kosovës. Njëmbëdhjetë të dyshuarit e arrestuar, janë nga Ferizaj, tetë nga Prishtina, shtatë nga Gjilani, pesë nga Prizreni, pesë nga Mitrovica dhe katër persona nga Peja.
Për sanksionim të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë territorit, legjislatura e kaluar ka miratuar Ligjin për Ndalimin e Pjesëmarrjes në Konflikte të Armatosura jashtë vendit dhe dënimet për shkeljen e këtij Ligji. Varësisht se për cilën dispozitë bëhet fjalë, parashihen nga 3 deri në 15 vjet burg. (Zejxhane Osmani, TVM2)
