Zgjidhja e kontesteve të palëve, ndërmjetësimi më i lirë se gjyqësori
Konteste të ndryshme gjatë ndarjes së pronave,borxhe të grumbulluara për shkak të komunalive të papaguara...

Konteste të ndryshme gjatë ndarjes së pronave,borxhe të grumbulluara për shkak të komunalive të papaguara, shërbime artizanale të përfunduara por jo dhe të paguara. Këto janë disa prej rasteve më të shpeshta kur qytetarët shkojnë në ndërmjetësim. Ligji parashikon, se ndërmjetësimi është i detyrueshëm për kontestet në vlerë deri 1 milion denarë, ndërsa marrëveshja e arritur ka të njëjtën pesh si vendimi gjyqësor.
“Nëse marrëdhëniet midis dy palëve janë të përkeqësuara, në këtë rast ne organizojmë takime të ndara me ta. Përpiqemi ti afrojmë të dyja palët dhe të bëjnë lëshime përmes bisedimeve dhe ndërmjetësimit. Ndënjëherë është shumë vështirë për të arritur marrëveshje, por me këmbëngulje,përkushtim dhe me teknikat të cilat i përdorim shpesh arrijmë të dalim fitimtar dhe të arrijmë marrëveshje”, u shpreh ndërmjetësuesja Nadezhda Nedellkovska.
E mira e ndërmjetësimit është që çdo problem zgjidhet me marrëveshje duke shmangur procedurat e shtrenjta gjyqësore. Ndërmjetësuesi mund të zgjidhet nga listat e licencuara,ose nga Oda e Ndërmjetësuesëve. Shpenzimet për të kushtojnë 50 euro, ndërsa çdo seancë ndërmjetësimi kushton 15 euro.
“Ndërmjetësimi është shumë më i lirë se sa procedurat gjyqësore. Për ndërmjetësimin nuk janë të nevojshme ekpertiza plotësuese, por thjesht të dyja palët marrin pjesë në ndërmjetësim me dëshmitë e tyre, ndërsa nëse gjatë ndërmjetësimit paraqitet shpenzim shtesë, të dy palët merren vesh për të mënyrën e pagesës së tyre”, theksoi ndërmjetësuesja Maja Ristovska Stojanovska.
Në Maqedoni gjithsej 31 ndërmjetësues posedojnë licencën e ndërmjetësimit.
REXHEP QAMILI
