Botë

Dorëhiqet ministri i brendshëm i Shqipërisë Xhafaj

27.10.2018 17:04

Mëngjesi të shtunës ka kapur në befasi politikën shqiptare e sidomos maxhorancën qeverisëse...

I kanë mjaftuar tre fjali kryeminsirit Rama përmes Twitter për të njoftuar publikisht dorëheqjen e Fatmir Xhafajt një prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit . Bashkë më dorëheqjen kryeministri anoncoi edhe emrin e pasuesit të Fatmir Xhafajt.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar.Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, u shpreh Edi Rama.

Kjo është hera e parë që në pesë vite qeverisje kryeministri, zgjedh të njoftojë dorëheqjen e një ministri nga kabineti përmes Tëitter. Ndërkohë vetë Xhafaj publikoi një deklaratë për median duke thënë se pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme.
Më tej në deklaratë Fatmir Xhafaj shprehet se:

“Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve. Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, theksoi ministri i brendshem i Shqipërisë, Fatmir Xhafa.

Fatmir Xhafaj nuk i shpëtoi hijes së rëndë që mbart zyra e ministrit të brendshëm në të cilën në historinë moderne të Shqipërisë, duke nisur nga Kadri Hasbiu asnjë ministër i brendshëm nuk ia ka dalë ta çoj deri në fund mandatin.

LULJETA NDOKA