Botë

Avionët izraelitë bombardojnë Gazën

27.10.2018 17:58

Izraeli mbrëmë ka kryer një sulm ajror ndaj disa objektivave në Gaza, me pretendimin se kjo është një përgjigje për raketat e hedhura nga Gaza në anën e Izraelit...

Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se avionët luftarakë dhe helikopterët kanë goditur 80 objektiva të Hamasit në Gaza.

Po ashtu njoftohet se që nga orët e mbrëmjes të ditës së djeshme nga Gaza në anën e Izraelit janë hedhur 30 raketa dhe se 10 prej këtyre janë neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sipas deklaratës izraelite shumica e raketave tjera kanë rënë në fusha të zbrazëta. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Eshref el-Kudra deklaroi se si pasojë e një sulmi izraelit ndaj një pike ushtarake në afërsi të spitalit ‘Indonezia’ në veri të Gazës, është dëmtuar spitali.

Ai dënoi sulmin dhe u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që t’i mbrojnë institucionet dhe stafin shëndetësor kundër sulmeve izraelite në Gaza.

Dëshmitarët e rastit njoftojnë se si pasojë e dëmeve të shkaktuara, disa persona kanë pësuar lëndime të lehta. Burimet shëndetësore palestineze në Gaza njoftojnë se deri më tani nuk është raportuar për të vdekur nga bombardimet e Izraelit.

Ndërsa Lëvizja Xhihadi Islamik në Gaza ka thënë se grupet e rezistencës nuk do të qëndrojnë duarkryq ndaj masakrimit të njerëzve të pafajshëm nga Izraeli.