Maqedoni

Analistët: Përçarjet në VMRO, pas pakënaqësive të shumta

29.10.2018 16:28

Përçarjet e mëdha në VMRO-DPMNE kanë qenë të patjetërsueshme, pasi ato vijnë si rezultat i pakënaqësive të shumta...

Përçarjet e mëdha në VMRO-DPMNE kanë qenë të patjetërsueshme, pasi ato vijnë si rezultat i pakënaqësive të shumta të cilat janë akumuluar një kohë më të gjatë, vlerësojnë analistët politikë dhe njohësit e mirë të rrethanave në VMRO-DPMNE.
 
Profesori universitar dhe njohësi i mirë i rrethanave brenda VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Dashtevski, ka pohuar për TVM2 se mund të ketë edhe ndonjë pakënaqësi eventuale, por kryesisht pret stabilizim të situatës.  
 
“Mendoj se kjo është si rezultat i një procesi të gjatë i cili ka qenë funksional brena vitit të fundit, këtu nuk e kam fjalë vetëm për Marrëveshjen me Greqinë, por për zhvillimet brenda partisë pas zgjedhjeve. Mendoj se ka qenë e patjetërsueshme të vijë kjo situatë, që nga momenti kur është folur se do të ndryshohet Kushtetuta e vendit, ndërsa ju e dini që në programin e VMRO-DPMNE-së ka qenë ajo që Kushtetuta të mos preket, kulminacioni erdhi në momentin kur u gjetën këta 8 deputetë për t’i votuar këto ndryshime, dhe tani dilema ngrihet se kush ka lobuar që të njëjtit t’i votojnë këto ndryshime kushtetuese. Mund të ketë edhe ndonjë tension të vogël, por kryesisht pres stabilizim të situatës dhe se merret përshtypje se baza prapë ka të drejtë dhe jo grupi që ndahet nga ajo. Situata të tilla në VMRO-DPMNE ka pasur edhe në të kaluarën”,- tha analisti, Aleksandar Dastevski.
 
Pakënaqësitë kanë filluar që nga kalimi i VMRO-DPMNE-së në opozitë, pastaj hapja e idesë për ndryshimet kushtetuese, ndryshimi i emrit dhe ka kulminuar me kalimin e disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së në anën e shumicës parlamentare kur u siguruan 2/3 e votave për ndryshmet kushtetuese. Përçarja është konfirmuar edhe nga vetë VMRO-DPMNE, e cila në vend të 10 grupeve parlamentare, sa kishte formuar në fillim të kësaj përbërje parlamentare, tani ka vendosur të funksionojë me një grup deputetësh, pa 8 deputetët e larguar dhe pa aleatët që braktisën koalicionin. Tetë deputetët e larguar nga VMRO kanë formuar grupin e tyre parlamentar, i cili takimin e parë e ka realizuar me kryeministrin, Zoran Zaev, për të diskutuar draft-amendamentet e Kushtetutës që Qeveria duhet t’i paraqesë në Kuvend.
 
Situata këtyre ditëve brenda radhëve të VMRO-DPMNE-së i ka tensionuar edhe letra e anëtarit të përjashtuar, Sasho Mijallkovit, i cili ka dërguar kritika të ashpra në adresë të liderit aktual, Hristian Mickovskit, duke e quajtur atë si patriot të rrejshëm dhe person i cili ka përfituar më së shumti në kurriz të kësaj partie. Mijallkov e ka akuzuar Mickovskin se po e çon partinë drejt shkatërrimit, ndërsa ka thënë se përçarjen e vërtetë Mickovski do ta përjetojë së shpejti. VMRO-DPMNE–ja në zgjedhjet e fundit parlamentare doli me 51 deputetë, por kalimi i tyre në opozitë i kushtoi me 3 deputetë, ndërsa ndryshimet kushtetuese VMRO-së i kushtuan me largimin e 8 deputetëve të tjerë. Por, kryeministri Zaev ka paralajmëruar se këtij numri mund t’i bashkëngjiten edhe deputetë të tjerë.  
 
FITIM KRYEZIU