Vazhdon gjykimi për “Dhunën në Qendër”, Gruevski heshtë për shkuarjen në burg
Me dëshminë e kryetarit të komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, në Gjykatën Penale ka vazhduar gjykimi për dhunën....

Me dëshminë e kryetarit të komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, në Gjykatën Penale ka vazhduar gjykimi për dhunën para ndërtesës komunale më 10 qershor 2013. Seanca paraprake që ishte caktuar më 16 tetor, ishte anuluar për shkak të mungesës së të akuzuarit, Aleksandër Brajkovski, i cili deri te gjykata ka dorëzuar parashtresë se në atë periudhë ka pasur të caktuar seancë në komunën e Gazi Babës, ku dhe ka qenë këshilltar.
Ndaj kësaj ka reaguar prokurorja, Fatime Fetai, e cila ka thënë se arsyet për mungesën e Aleksandrit nuk janë të arsyeshme dhe janë me qëllim të prolongohet gjykimi. Ajo ka propozuar që gjykatësi të urdhërojë arrestimin e dhunshëm të Brajkovskit. Me këtë rast, në dalje nga Gjykata njëri nga të akuzuarit, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, i pyetur nga gazetarët për aktin e paraqitjes deri më 8 nëntor në Burgun e Shutkës, ai refuzoi të përgjigjet.
Në lëndën e PSP-së “Dhuna në Qendër”, përpos ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, të akuzuar janë edhe ish-ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja, Daniella Rangellova, dhe 11 persona të tjerë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
