Gjykimi për dhunën në Kuvend, shpalosen video-inçizime të reja nga Kuvendi, Alimi: Nuk më intereson amnistia, jam i pafajshëm

29.10.2018 17:13

Seanca e sotme gjyqësore për rastin e 27 prillit në Kuvend....

Seanca e sotme gjyqësore për rastin e 27 prillit në Kuvend ka vazhduar me prezantimin e video-incizimeve nga Kuvendi.

Aty shihet se si disa nga të akuzuarit për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” drejtojnë turmën drejt press qendrës.

Të akuzuarit në momentin kur kanë qëndruar para zyrës së ish kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, i kanë hequr maskat, për t’i vënë më pas kur u drejtuan kah press qendra.

Në mesin e turmës shihet Nikolla Mitrevski Kolo, Stefan dhe Mihaill Mlladenovski, Vilijam Mihajlovski, Igor Jug, Mitre Pitropovski dhe Dejan Davidkovski, që është në arrati, dhe të punësuarit në Kuvend, Goran Goshevski, Elena Doceska Bozhinovska dhe Munir Pepiq.

Të akuzuarit në këtë rast nuk deshën të komentojnë propozim ligjit për amnisti, të propozuar nga VMRO-DPMNE, përveç të akuzuarit, Abdylfeta Alimit, i cili thotë se nuk i intereson Ligji për amnisti, pasi ai ndjehet i pafajshëm. Ai thotë se ka vepruar sipas urdhrave në detyrë dhe nuk pendohet aspak.

“Nuk kam lidhje me këtë dhe sinqerisht t’u them: aspak nuk më intereson, sepse e di që jam i pafajshëm. Nuk di, nuk kam koment”,- tha i akuzuari, Abdylfeta Alimi.

Seanca gjyqësore për këtë rast do të vazhdojë edhe të martën. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)