ASh: Kritika pushtetit lokal në Kumanovë
Aleanca për Shqiptarët, nëpërmjet një pres konference të mbajtur në Kumanovë....

Aleanca për Shqiptarët, nëpërmjet një pres konference të mbajtur në Kumanovë, ka kritikuar pushtetin lokal të këtij qyteti dhe kryetarin, Maksim Dimitrievski. Nga ASH thonë se për sa kohë LSDM udhëheq me Kumanovën, banorët shqiptarë vazhdojnë të mbeten të shkelur e diskriminuar.
“Komuna e Kumanovës, gati dy dekada udhëhiqet nga LSDM, dhe se shqiptarët e Kumanovës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kategoria më e shkelur dhe e diskriminuar nga pushteti lokal. Pushteti i ri lokal, LSDM-BDI, në krye me Maksim Dimitrievskin, vazhduan me stilin e vjetër, ku vëmendja, investimet e punimet u drejtuan kryesisht në lagjet ku dominon popullata maqedonase, ndërsa lagjet e shqiptarëve vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme. Maksim Dimitrievski e vërtetoi këtë para ca ditëve në një debat, ku tha se propozim amendamentet e ASh-së, për barazi të plotë të gjuhës shqipe, i etiketoi si kërkesa nacionaliste që i përkasin së kaluarës”,- deklaroi kryetari i ASh – KUMANOVË, Huzeir Mustafi.
Këshilltari i vetëm nga radhët e ASH-së në Këshillin komunal të qytetit të Kumanovës, Osama Muadini, thotë se deri më tani kërkesat dhe iniciativat e tij për zhvillimin e infrastrukturës nëpër lagjet me popullatë shqiptare vazhdimisht injorohen nga vetë kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. (Fatlum Aqifi, TVM2)
