Amendamentet për ndryshimet kushtetuese, Zaev takon grupin e pavarur prej 8 deputetëve, do të takojë edhe deputetët e ASh-së dhe Besës
Grupi i ri i pavarur parlamentar, i formuar nga tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së.....

Grupi i ri i pavarur parlamentar, i formuar nga tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilin e votuan për fillimin e nismës për ndryshimet kushtetuese, patën takimin e parë me kryeministrin, Zoran Zaev, me ministrin e punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe atë të drejtësisë, Renata Deskoska.
Projekt - amendamentet kushtetuese, përforcimi i identitetit maqedonas, garancia se procesi do të shkojë deri në fund dhe se nuk do të ketë bllokadë greke si dhe formimi i trupit koordinativ për pajtim, ishin katër pikat që u kërkuan nga grupi i pavarur parlamentar i fraksionuar nga VMRO–DPMNE.
“Mund të konstatoj se në debat gjetëm drejtime konkrete, për ne si përgatitës të draft amendamenteve edhe në pjesën e përforcimit të identiteti maqedonas edhe në pjesën e garancisë se procesi deri në fund do të shkojë dhe nuk do të bllokohemi nga Greqia, rrjedhimisht garanci se amendamentet kushtetuese do të hyjnë në fuqi me ratifikimin e marrëveshjes në parlamentit grek dhe se si do të pranohet emri i ri në kuptim të brendshëm të shtetit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Para se të zyrtarizohen propozimet për ndryshimet kushtetuese, do të shqyrtohen, tha kryeministri Zaev, i cili njëherit pret përfshirjen edhe të deputetëve të tjerë të VMRO–DPMNE-së që nuk ishin pjesë e votimit për ndryshimet kushtetuese. Ai po ashtu deklaroi se do të konsultohet edhe me Aleancën për Shqiptarët dhe Besën të cilët votuan “pro” nismës për ndryshimet kushtetuese.
“Deri të premten qeveria duhet të marrë vendim që t’i formulojmë propozimet. Çdo orë është e rëndësishme të punojmë në konsolidimin e radhëve në Maqedoni, bashkë me deputetë tjerë. Nuk mund ta harrojmë shumicën parlamentare të krijuar nga parti të ndryshme politike. Prej 72 deputetëve kemi edhe opozitën, që është Aleanca për Shqiptarët dhe BESA. Kështu që konsultimet vazhdojnë deri në formulimin e fundit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Afati për dorëzimin e projekt – amendamenteve të qeverisë për ndryshimet kushtetuese skadon të premten, 15 dita nga dita e votimit në parlament për ndryshimet kushtetuese, me çka u arrit numri i përgjithshëm “pro” i 80 deputetëve. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
