Amnisti për “27 prillin”, VMRO dorëzon propozimin ligjin në kuvend
VMRO-DPMNE dorëzoi në kuvend propozim ligjin për amnisti të të dyshuarve...

VMRO-DPMNE dorëzoi në kuvend propozim ligjin për amnisti të të dyshuarve, akuzuarve dhe të dënuarve për dhunën e 27 prillit në kuvend. Partia e Mickovskit kërkon miratim në procedurë të përshpejtuar të ligjit.
Danev: Zaev dhe Sela të rishikojnë propozim ligjin
Sipas koordinatorit të grupit parlamentar, Dragan Danev, personat e përfshirë nuk janë terroristë. Ai ftoi liderët e partive politike që të mbështesin ligjin, siç u shpreh, për pajtesë të vërtetë nacionale.
“Ftojmë të gjitha partitë politike, edhe zoti Selën, zotin Zaevin, ftojmë edhe liderët e partive tjera politike, të shohin ligjin dhe nëse kanë dëshirë të marrin pjesë në miratimin e ligjit, do të ketë edhe debat amendamentesh ku do të kenë mundësi të dorëzojnë amendamente. Për të gjithë punët jemi të gatshëm që të bisedojmë dhe negociojmë”,- tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Kostadinov: Refuzojmë propozimin e VMRO-së
Nga LSDM dolën me përgjigje se nuk do të mbështesin ligjin, pasi që nuk do të lejojnë ndërhyrje flagrante në gjyqësor.
“Ende nuk e kam parë propozim ligjin për amnisti të VMRO-DPMNE-së, por që nga fillimi qëndrimi ynë është i qartë, se ne e refuzojmë këtë ligj. Pas këtij pajtimi nuk qëndron amnisti në asnjë formë. Gjyqësorin do të duhet ta lëmë anash nga përplasjet tona politike”,- tha deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Zaev: Pajtesa, vetëm në kuvend
Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se pajtesa do të duhet të bëhet në kuvend e jo me ndërhyrje në gjyqësor. Sipas Zaevit, në trupin për pajtesë nacionale në krye me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, do të merrnin pjesë koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare.
“Absolutisht është i papranueshëm propozimi i VMRO-së, pasi që këtu formojmë trupin koordinativ nacional. Në këtë trup të pajtesës do të duhet të gjejmë mekanizmat e pajtesës, duke mos ndikuar mbi procesin e drejtësisë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO këtyre ditëve do të kumtojë qëndrimin për pjesëmarrje në Komisionin për pajtim, por konsiderojnë se me këtë promovohet drejtësi selektive. (Meral Ismaili, TVM2)
