Dialogu Serbi – Kosovë, të mërkurën seancë të jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 31 tetor....

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 31 tetor. Kështu ka vendosur kryesia e Kuvendit të Kosovës, duke miratuar kërkesën e 42 deputetëve, të cilët kërkojnë debat parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për ndryshimin e kufirit, apo, siç e quan presidenti “korrigjimin” e tij.
Deputetët të cilët bën thirrje për këtë seancë kërkojnë që në fund të debatit të miratojnë një rezolutë, e cila do t’ia ndalonte presidentit që në dialog të flasë për territorin, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se presin që të ketë konsenzus. Po ashtu Veseli tha se ka pasur propozim për hartimin e një rezolute për hartim të përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare lidhur me çështjen e dialogut.
Kreu i legjislativit pas mbledhjes së Kryesisë tha se presin konsensus nga të gjitha subjektet parlamentare, pasi që nuk dëshirojnë të krijohet pushtet i ri e lëre më ndarje në shtetin e Kosovës.
“Shpresoj se jemi në rrugë të mirë për të pasur konsensus, Mbrojtja e sovranitetit mbrojtja e shtetit kjo shpresoj te jetë reflektim edhe pse unë pata propozim të fillojmë nga sot të kemi konsensus. Ne e kemi një drejtim të bëhemi bashkë në platformën nacionale. Ajo qa do ta bëjë ditën e mërkurë është të kemi qëndrim të përbashkët nacional. Shpresoj se do të arrijmë dhe ftoj partnerët nga opozita ta lënë egon inatet e interesat”,- tha kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.
Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të paraqesë idenë e tij për korrigjimin e kufijve, që do të thotë bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka takuar shefin e delegacionit të Parlamentit Evropian për çështjet e Serbisë, Eduard Kukan, ku temat kryesore të takimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe shefit të delegacionit të Parlamentit Evropian për çështjet e Serbisë, Eduard Kukan, ishin dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe themelimi i ushtrisë së Kosovës. Siç bëjnë të ditur mediat serbe, në këtë takim Vuçiq ka shprehur gatishmërinë e vazhdimit të dialogut.
Po ashtu, siç bëhet e ditur, Vuçiq e ka njoftuar Kukan për arsyen e ndërprerjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që sipas presidentit serb, arsyeja e vetme është moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel nga ana e Kosovës e në veçanti moskrijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. (Gyltene Sinani, TVM2)
