Gjirokastër, vrasja e ekstremistit grek, reagon Athina zyrtare

29.10.2018 19:44

Marrëdhënie të acaruara mes Shqipërisë dhe Greqisë pas vrasjes së ekstremistit grek, Konstantinos Kaçifa....

Marrëdhënie të acaruara mes Shqipërisë dhe Greqisë pas vrasjes së ekstremistit grek, Konstantinos Kaçifa, në Bularag të Gjirokastrës nga Policia shqiptare. Pas ngjarjes, ministri i jashtëm grek, Aleksis Tsipras, ka thërritur ambasadoren shqiptare në Greqi, Ardiana Hobdarin.

Ndërkohë që drejtori i Policisë shqiptare, Ardi Veliu, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun grek.

Sipas mediave greke, mëngjesin e së hënës ka qenë Aleksis Tsipras, i cili ka thirrur ambasadoren shqiptare, ku i ka dorëzuar një notë proteste për rastin në fjalë. Mediat në Greqi shkruajnë se Tsipras i ka kërkuar llogari ambasadores shqiptare për vrasjen e grekut, Konstantinos Kaçifa, ndërkohë që Ardiana Hobdari ka thënë se Policia shqiptare e ka qëlluar pasi Kaçifa ka rrezikuar jetën e efektivëve të policisë dhe nuk pranonte të dorëzohej.

Për vrasjen e Konstantinos Kaçifa, drejtori i përgjithshëm i Policisë shqiptare, Ardi Veliu, ka komunikuar me homologun grek, ku i ka thënë se policia ka zbatuar procedurën. Në këtë telefonatë, Ardi Veliu i tha drejtorit të Policisë greke se u rrezikua jeta e punonjësve të policisë për të disatën herë, derisa më pas forcat RENEA-s e kanë qëlluar pasi ai nuk dorëzohej.

Ardi Veliu ka theksuar në këtë komunikim se do të zhvillohet një hetim për rastin në fjalë, nëse janë zbatuar të gjitha procedurat.

Ekstremisti grek u vra ditën e djeshme në Gjirokastër nga policia shqiptare, pasi ai nuk iu përgjigj thirrjes për t’u dorëzuar, ndërsa gjatë gjithë paradites ka qëlluar me armë në drejtim të policisë. (Luljeta Ndoka, TVM2)