Botë

Indonezi, vazhdojnë kërkimet për aeroplanin e rrëzuar

30.10.2018 12:20

Autoritetet në Indonezi po përdorin drone dhe teknologji sonare për të kërkuar një aeroplan pasagjerësh, që u rrëzua të hënën në Detin Java...

Aeroplani i kompanisë “Lion Air” u rrëzua pak minuta pas nisjes nga Xhakarta, me 189 njerëz në bord. Shenja për të mbijetuar nuk ka. Disa gjësende të pasagjerëve u gjetën. Po ashtu nuk dihet ende se cili është shkaku i incidentit.
 
Zyrtarët thanë se piloti ka kërkuar të kthehet në tokë, përpara se të humbiste kontaktet me kontrollorët e trafikut ajror. Kreu i Agjencisë së Fatkeqësive në Indonezi, Sutopo Purwo Nugroho, tha në Twitter se pajisjet sonare po përdoren në ujërat pranë qytetin Karavang - pika e fundit e kontaktit me aeroplanin. Hetuesit janë gjithashtu në kërkim të regjistruesit të të dhënave të fluturimit.