Botë
Shoigu: Pasoja serioze për Evropën nëse ShBA tërhiqet nga Traktati bërthamor
30.10.2018 12:53
Planet e Uashingtonit për t'u tërhequr nga marrëveshja për armët bërthamore do të kenë "pasoja serioze" për Evropën, vlerëson ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu....

Shoigu tha se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet t'i peshojnë pasojat e largimit të ShBA-së nga Traktati për forca bërthamore me rreze të mesme. Ky traktat është nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, dhe atëbotë lideri i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev.
"Ne kemi përshtypjen se jo secili në Evropë e kupton se ky vendim do të ketë pasoja serioze për Evropën", tha Shoigu.
Deklaratat e tij vijnë pas paralajmërimeve të presidentit rus, Vladimir Putin, javën e kaluar, se Rusia do të shënjestrojë secilin vend të NATO-s, nëse ShBA tërhiqet nga traktati dhe vendos raketa aktualisht të ndaluara në ato vende. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke shpallur planet e tij për t'u tërhequr nga pakti, ka përmendur shkeljet e supozuara ruse që nga viti 2014. Por, Rusia mohon se shkel marrëveshjen.
