Maqedoni
Lagja “Teqe” në Tetovë, banorët nuk lejojnë hapjen e bastores sportive
30.10.2018 14:38
Hapja e bastores sportive në lagjen “Teqe” të Tetovës ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek banorët e lagjes.....

Ata protestuan mbrëmë dhe kërkuan urgjentisht dislokimin e bastores sportive nga lagjja e tyre. Protestuesit më tej u shprehën se kjo që po ndodhë është një marrëzi. Sipas tyre, kjo bastore hapet më pak se 20 metër afër Shkollës Fillore “Naim Frashëri” dhe kërkuan nga përgjegjësit që urgjentisht të merren masa për mbylljen e bastores.
“Në “Teqe” bëhet masakër me hapjen e kazinove, bilardove, lloj-lloj biznesi bëhet këtu. Duke e ditur se “Teqja” çfarë ekonomie ka dhe çfarë probleme me punësimin ka. Mirëpo këtu si duket dikush ka dorë më të madhe se sa ne, se sa banorët dhe rinia e “Teqes”, që dëshirojnë të kthejnë përsëri “Teqen” ku ka qenë para 20 vitesh, apo 30 vitesh. Kjo është një dorë shumë e keqe që i behët popullatës shqiptare në këto vende që dëshirojnë që popullata shqiptare mos të merret me shkollim, mos të merret me arsim dhe edukim, por të merret me budallallëqe të cilat sot i shini edhe Ju”,- u shpreh një banor.
“Neve na duhet përkrahje më e madhe për klubin e futbollit që ndodhet në lagjen tonë, na duhet përkrahje më e madhe për shkollimin e të rinjve dhe assesi hapjen e lokaleve të tilla, për arsye se ato janë vetëm degjenerim. Si taksapagues të shtetit nuk mendoj se do ndalemi këtu”,- theksoi një banor.
Protestuesit kujtuan qeverinë e Maqedonisë që të ndjekin shembullin e qeverisë së Tiranës dhe lojërat e fatit dhe bastoret sportive të largohen nga qyteti ose t’i mbyllin të gjitha.
“Pse nuk e bëjnë edhe politikanët tanë, deputetët tanë, siç e bëri në Shqipëri Edi Rama, i cili e bëri që nga 1 janari e tutje nuk do të ketë bastore dhe kazino brenda qytetit”,- theksoi një banor.
“Ne të marrin si shembull Shqipërinë, e cila më 31 dhjetor i thotë lamtumirë këtij lloj të thithjes së të mirave të cilat i ka popullata kështu në formë klasike”,- u shpreh një banor.
Ndërkohë, sipas informatave që kemi mundur të sigurojmë ne është se bastorja sportive ka leje për hapjen e saj. Protestuesit kanë paralajmëruar se do vazhdojnë me protesta edhe sot pas orës 19:00 deri në mbylljen e tërësishme të saj.
VISAR SADIKI
