Prokuroria Themelore Publike: Ivanov hetohet për shkelje të Kushtetutës
Prokuroria Themelore Publike ka ngritur procedurë parahetimore kundër presidentit, Gjorge Ivanov....

Prokuroria Themelore Publike ka ngritur procedurë parahetimore kundër presidentit, Gjorge Ivanov, për shkak të shkeljes së Kushtetutës. Sipas të dhënave të prokurorisë, në këtë adresë kanë arritur dy padi penale anonime ku presidenti Ivanov akuzohet për mosrespektim të kushtetutës në firmosjen e Ligjit për gjuhët dhe Marrëveshjes së Prespës.
“Duke vepruar në bazë të dy akuzave penale në lidhje me mosnënshkrimin e Ligjit për Gjuhët dhe Marrëveshjes së Prespës, Prokuroria Themelore Publike vepron në bazë të procedurës parahetimore, në drejtim të vërtetimit të kërkesës. Me këtë qëllim kërkohen të dhëna dhe informacione nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë dhe nga kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë për kohën kur janë miratuar vendimet në shtëpinë ligjvënëse, rrjedhimisht cilat kanë qenë arsyet nga ana e kryetarit”,- thuhet në deklaratën e Prokurorisë Themelore në Shkup.
Në muajin mars kur për herë të dytë Ligji për Gjuhët u votuan në Parlament, Ivanov raportoi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit edhe pse me nenin 75 të kushtetutës presidenti është i obliguar të nënshkruajë ligjin kur ai rivotohet në kuvend.
Ndërkaq, Marrëveshjen e Prespës Ivanov nuk e nënshkroi me arsyetimin se është i dëmshëm për interesat nacionale të vendit dhe është përpiluar pa marrë mendimet e të gjithë faktorëve politikë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
