Maqedoni

Selmani: Gjuha juridike nuk e njeh termin pajtim

30.10.2018 16:10

Eksperti juridik, Bashkim Selmani, në një prononcim për TVM2 thotë se në aspektin legjislativ nuk njihet termi pajtim....

Eksperti juridik, Bashkim Selmani, në një prononcim për TVM2 thotë se në aspektin legjislativ nuk njihet termi pajtim, ndërsa amnistinë juridike mund ta bëjë vetëm presidenti i shtetit. Sipas Selmanit, pajtimi i cili ka karakter familjar apo individual, nuk mund të bëhet për rastin e 27 prillit.
 
“Nëse analizohet mënyra e ndodhisë apo ngjarjes së shkaktuar më 27 prill, që realisht ishte sulm ndaj ligjdhënësit, institucionit më të lartë në shtet, dhe tash nocionin “pajtim” gjuha juridike nuk e njeh. Ndërsa sa i përket amnistisë, pra që njihet në aspektin legjislativ, por në këtë rast nuk e jep kryeministri por këtë mund ta bëjë vetëm presidenti i shtetit edhe atë pas vuajtjes së 2/3 të dënimit, kjo është ana juridike”,- tha eksperti juridik, Bashkim Selmani.
 
Sipas Selmanit, është kuvendi ai i cili në formë të ligjit mund të amnistojë, por kjo nuk është në interes të drejtësisë së për shkak se anashkalohet pushteti gjyqësor.
 
“Vetëm Kuvendi është ai i cili në formë të ligjit mund të amnistojë të gjithë ata që kanë kryer vepra penale, mirëpo kjo nuk është në interes të së drejtës për shkak se anashkalohet pushteti gjyqësor, i cili nuk do të jetë në funksion të së vërtetës reale, që drejtpërsëdrejti ka të bëjë me funksionimin e shtetit dhe të së drejtës”,- theksoi eksperti juridik, Bashkim Selmani.
 
Ai më tej thekson se nëse kuvendi propozon një ligjit të tillë, atëherë brenda decenies së fundit të gjithë ata që kanë kryer krime duhet të falen, përfshirë këtu të gjitha rastet e montuara. 
 
ZEKIRIJA MEXHITI