Maqedoni

Zaev: Do të formohet trup nacional koordinativ për pajtim

30.10.2018 16:50

Amnistia është absolutisht e papranueshme dhe do të ketë vetëm pajtim, theksoi kryeministri, Zoran Zaev....

Amnistia është absolutisht e papranueshme dhe do të ketë vetëm pajtim, theksoi kryeministri, Zoran Zaev, pas takimit me grupin parlamentar të Kançevska Milevskës, duke potencuar se amnistinë nuk e mbështet as grupi i ri parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Ai më tej shtoi se do formohet trup nacional koordinativ i cili duhet t’i gjejë mënyrat e pajtimit.
 
 
“Na mbetet t’i dimensionojmë hapat e mëtejshëm për këtë trup të cilin e kryeson Talat Xhaferi, të ketë tre anëtarë nga grupi i ri parlamentar dhe koordinatorët e të gjithë grupeve partiake. Jam i kënaqur nga takimi dhe besoj se do të arrijmë të pajtohemi”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
BDI: Pajtimi do të debatohet në grupin ndërparlamentar
 
Procesi i pajtimit që paralajmëroi kryeministri Zaev nuk duhet të ndërlidhet me amnistinë që e propozoi VMRO-DPMNE, vlerëson deputeti i BDI-së, Artan Grubi. Sipas tij, procesi i pajtimit duhet të dakordohet brenda grupit ndërparlamentar të iniciuar nga tetëshja e krahut demokratik në VMRO-DPMNE-së, ku do diskutohen format e pajtimit.
 
“Procesi i pajtimit duhet të dakordohet brenda grupeve parlamentare në Kuvendin e RM-së dhe vlerësoj se tetëshja e krahut demokratik në VMRO-DPMNE tashmë kanë filluar përgatitjen për nisjen e një grupi ndërparlamentar, në të cilin do të diskutohen format e pajtimit brenda kuvendit në mënyrë që të zhbllokohet rruga edhe më e gjerë për pranimin e amendamenteve kushtetuese dhe zabtimin e marrëveshjes së Prespës”,- u shpreh Artan Grubi nga BDI. 
 
Lëvizja Besa: Amnistia do t’i keqësonte proceset demokratike
 
Ndërkohë, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit është kundër amnistisë sepse vlerëson që proceset demokratike në vend nuk zgjidhen me amnisti.
 
“Një ligj i tillë i amnistisë vetëm do t’i keqësojë proceset demokratike, do t’i trimëronte strukturat e ndryshme që t’i fusin duart në veprime kriminogjene, krim, korrupsion, që edhe më tutje ta vazhdojnë veprimtarinë dhe aktivitetin e vet. Ne si shoqëri dhe shtet kemi edhe rekomandime nga BE që sistemi i drejtësisë, institucionet, të jenë kruciale për shtetin demokratik dhe në këtë kontekst vlerësojmë se Ligji për amnisti nuk do të zgjidhte problemet por vetëm do t’i komplikonte”,- u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
 
VMRO-DPMNE: Nuk përkrahim drejtësi selektive
 
Ndërsa nga VMRO-DPMNE bëjnë të ditur se nuk do të marrin pjesë në Komision për shpërblimin e të dëgjueshmëve.
 
“VMRO-DPMNE nuk do të përkrahë zgjidhje ligjore për drejtësi selektive, e cila do të ishte e njëanshme pa opozitën. Vetëm drejtësi e plotë për të gjithë të inkuadruarit në proceset e 27 prillit do të jetë e pranueshme edhe për shoqërinë, por edhe për VMRO-DPMNE-në”,- tha Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, çdo zgjidhje tjetër do të thotë vazhdim i degradimit të sistemit ligjor dhe shtëpisë ligjvënëse që do të vazhdojë ta thellojë ndarjen e shoqërisë.
 
FLUTURA LATIFI