Maqedonia vazhdon bashkëpunimin me “Traduki” - rrjetin evropian për letërsi dhe libra
Republika e Maqedonisë ka nënshkruar vazhdimin e marrëveshjes për bashkëpunim....

Republika e Maqedonisë ka nënshkruar vazhdimin e marrëveshjes për bashkëpunim me anëtarët e Komitetit Drejtues dhe Komitetit të Programit të Rrjetit Evropian për Literaturë dhe përkthime "Traduki" për vitin 2019/2020. Ministri i kulturës, Asaf Ademi, tha se një nga prioritetet kulturore të Ministrisë së Kulturës ngelet literatura dhe veprimtaria botuese.
“Ky bashkëpunim më tepër ka unifikuar punëtorët kulturorë, ata që merren me botime dhe përkthyesit, si dhe kemi pasur rastin deri tash të përkrahemi nga fonde të ndryshme të këtij rrjeti me rreth 145 botime të ndryshme. Jam i sigurt se ky bashkëpunim do të vazhdojë në këtë frymë edhe në të ardhmen, ku do të kemi mundësi që të përkthejmë literatura të ndryshme nga gjermanishtja në gjuhët tona, nga gjuhët tona në gjermanisht dhe në gjuhët e vendeve anëtare të këtij rrjeti, por gjithashtu të shfrytëzohen edhe grande të ndryshme për përkthyes dhe për punëtorët tjerë kulturorë”,- theksoi ministri i kulturës, Asaf Ademi.
Në Rrjetin evropian për libra dhe letërsi TRADUKI, krahas Gjermanisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit, janë të anëtarësuar pothuajse të gjithë vendet nga Evropa Juglindore. Qëllimi i këtij rrjeti është përforcimi i bashkëpunimit evropian dhe ndër-rajonal dhe nxitja e këmbimit të informatave në veprimtarinë e përkthimit, përmes takimeve midis autorëve, përkthyesve, botuesve, bibliotekarëve, kritikëve dhe shkencëtarëve. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
