MUNDJE

Elmedin Sejfullau gati për Lojërat Olimpike për të rinjë

11.08.2014 15:20

Njëri prej pesë përfaqësuesve të Maqedonisë në Lojërat Olimpike për të rinjë, të cilat do të mbahen gjatë këtij muaji në Nanjing të Kinës, Elmedin Sejfullau, i ka përfunduar përgatitjet dhe nesër do të udhëtoj për në Kinë.........

Deri tani gjithçka është në rregull, shpresoj që të vazhdoj me tempon e njejtë të përgatitjeve edhe atje dhe në ditën e paraqitjes time, tu gëzoj të gjithëve me rezultat të mirë, është shprehur në takimin e sotëm me gazetarët, Sejfullau.

“I përfunduam përgatitjet, me ç`rast nesër është nisja për në olimpiadë. Kjo është ëndrra e çdo sportisti që të merr pjesë. Zoti më mundësoi mua këtë. Me përgatitjet do të vazhdojmë edhe atje. Unë do ta jap maksimumin dhe shpresoj që do të ju gëzoj me ndonjë medalje dhe të korri sukses”, është shprehur Sejfullau.

I kënaqur nga faza përgatitore e zhvilluar deri më tani, ishte edhe trajneri i Sejfullaut, seleksionuesi i Maqedonisë për kadetë, Sedat Baftiu. Baftiu, njëashtu shpreson që nga Nanjing, mund të kthehen me medalje.

“Unë si trajner i reprezentacionit të Maqedonisë,  jam i kënaqur me përgatitjet që i kemi zhvilluar në Shkup, në palestrën sportive “Mentaz Allajebegu”. Besoj që edhe atje do të vazhdojmë me stërvitjet, pasi kemi kohë, shkaku që paraqitjet në mundje janë prej 25 deri më 27 gusht. Si edhe në dy kampionatet evropiane, ku erdhëm deri te medaljet e bronzta, besoj që edhe kësaj here do të kthehemi me medalje”, deklaroi Baftiu.      

Gjithçka varet nga mundësi ynë se si do të paraqitet atje, por ne e dimë që Elmedini tani më ka përvojë nga veprimtari të mëdha dhe nga ai, presim rezultat të mirë, është shprehur në emër të kryesisë të klubit të mundjes Liria, drejtori Imer Kadriu.

“Ne shpresojmë në një arritje të mirë. Gjithçka varet edhe nga vet mundësi se si do të paraqitet atje, por sipas asaj që kemi parë, kundërshtarët që ai i ka, mundësi ynë ka një përvojë të madhe në garat ndërkombëtare. Ai e ka treguar vetën në dy kampionate evropiane, ku fitoi medalje të bronztë dhe shpresojmë që edhe nga këto Lojëra Olimpike të kthehet me medalje dhe me ate të na e zbardhë fytyrën të gjithë shqiptarëve në Shkup dhe Maqedoni” është shprehur Kadriu.   

Elmedin Sejfullau me trajnerin e tij Sedat Baftiu, por edhe me përfaqësuesit tjerë të Maqedonisë në këtë olimpiadë për të rinjë që do të mbahet në Nanjing të Kinës, do të nisen nesër, ndërsa mundësi i klubit të Lirisë, paraqitjen e tij në kategorinë deri në 54 kilogram, do ta ketë me 27 gusht. (Mustafa Ademi, TVM2)