Ndryshimet kushtetuese, Zaev: Opozita mos t’i frenojë proceset integruese
Kryeministri, Zoran Zaev, ka pohuar se nuk do të lejojë hapjen e kutisë së pandorës.....

Kryeministri, Zoran Zaev, ka pohuar se nuk do të lejojë hapjen e kutisë së pandorës, të cilën po e dëshirojnë tani disa subjekte politike, sidomos ato të opozitës. Zaev po ashtu pohoi se VMRO-DPMNE nuk duhet ta frenojë procesin me amendamente të dorëzuara, opozita shqiptare nuk duhet t’i kalojë limitet e rregullores se ku mund të dërgojnë amendamente, ndërsa Zaev i është përgjigjur edhe pohimeve të Bujar Osmanit nga BDI, i cili pohoi se pjesë nga Marrëveshja e Ohrit do të duhet të inkorporohen në ndryshimet kushtetuese, ku Zaev pohoi se Marrëveshja e Ohrit tanimë është e inkorporuar.
“Marrëveshja e Ohrit është tanimë pjesë e Kushtetutës së vendit, dua të përcjell porosi se inkluziviteti i procesit është i rëndësishëm, por nuk duhet lejuar që me ambiciet tona ta frenojmë procesin. Unë mundohem t’i kuptoj posaçërisht deputetët e opozitës që të hapin debat dhe të japin propozime, por në fund e di që nuk do të lejojmë hapjen e kutisë së pandorës dhe këtë e dinë të gjithë. Unë çdoherë jam në dispozicion që të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, por nuk do të lejojmë që dëshirat e dikujt ta ngadalësojmë procesin e ndryshimit të emrit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
GRUBI: OPOZITA SHQIPTARE TENTON TË MASHTROJË
Por, nga ana tjetër, Artan Grubi nga BDI ka theksuar se komunikimet e BDI-së me kryeministrin Zaev janë të vazhdueshme dhe akuzoi partitë shqiptare opozitare, të cilat përmes këtyre temave të mëdha, po dëshirojnë ta faktorizojnë para shqiptarëve, duke i quajtur këto tentime si mashtrime.
“Rregullorja dhe procedura për ndryshimin e Kushtetutës janë shumë të qarta dhe nuk lejojnë ndryshime jashtë atyre që i propozon iniciatori i ndryshimeve. Po këta deputetë të këtyre partive të vogla të cilat tani po dalin me këto propozime, kanë votuar në votimin e parë, se çka do të votohet në Kushtetutë, ato edhe kur kanë votuar, nuk e paskan ditur se çka kanë votuar. Kjo vetëm flet për injorancën dhe paditurinë e këtyre partive politike në procedurat e Kuvendit dhe në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
ZENDELI: KËRKESAT TONA JANË TË KAMOTSHME
Por, nga ana tjetër, Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa publikisht e pyeti kryeministrin se kur duhet të hapet kjo kuti e pandorës nëse jo tani, ku shqiptarët plot 27 vite presin barazinë e tyre në këtë shtet. Sipas tij, deri më tani kryeministri Zaev nuk e ka parë të rrugës që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat e deputetëve shqiptarë të opozitës, por kujdes maksimal është duke i kushtuar vetëm 8 deputetëve të larguar nga VMRO-DPMNE, të cilët tanimë kanë kërkuar grup të ri parlamentar.
“Vlerësojmë se këto kërkesa që i kemi parashtruar janë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit. Amendamenti që e propozojmë për nenin 49 kërkon kujdes për të gjithë qytetarët e vendit. Për propozimin që ka të bëjë me presidentin e shtetit kërkojmë zhbllokim të proceseve të cilat po na ndodhin në Kuvend dhe ka një ligj i cili është edhe obligim i Marrëveshjes së Ohrit, por është edhe kërkesë e shqiptarëve që nga viti 91’ e këndej, që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase në tërë Republikën e Maqedonisë”,- u shpreh deputeti nga Lëvizja Besa, Fadil Zendeli.
Kryeministri Zaev ka pohuar se deri ditën e premte Qeveria do t’i mbarojë obligimet e veta rreth ndryshimeve kushtetuese dhe më pas t’i dërgojë ato në parlament. Zaev po ashtu shtoi se është optimist se kësaj shumice parlamentare pritet t’i bashkëngjiten edhe disa deputetë të tjerë dhe se kjo shumicë prej 80 deputetëve nuk është shumicë e qëndrueshme.
Zaev pret që edhe disa deputetë të tjerë të VMRO-DPMNE-së t’i bashkëngjiten, duke aluduar në disa deputetë të pakënaqur nga VMRO-DPMNE-ja të cilët nuk janë të kënaqur me strukturat partiake, siç ishte rasti i largimit të deputetes, Daniella Rangellova, e cila akuzoi se partia është shndërruar në një subjekt të izoluar nga disa individë dhe kërkesa e deputetit tjetër, Dragan Danev, i cili ka kërkuar që mos të jetë në krye të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së. (Fitim Kryeziu, TVM2)
