Dita Ndërkombëtare e Kursimit, vendi ka rritje për 11% të kursimit në depozita
Edhe përkrah gjendjes jostabile ekonomike dhe politike në vend, Maqedonia....

Edhe përkrah gjendjes jostabile ekonomike dhe politike në vend, Maqedonia në Ditën Ndërkombëtare të Kursimit ka prekur nivel të lartë të kursimeve në depozita në vlerë prej 345 miliard denarë dhe me rritje vjetore prej 11 për qind.
Ky fakt bën të mendohet se qytetarët e Maqedonisë kultivojnë kulturë kursimi në sektorin bankar. Ministri i financave, Tevdovski, potencon se kjo rritje ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe porositi bankat që të përkrahin projekte të kompanive dhe t’iu sigurojnë më shumë mjete.
“Ditën Ndërkombëtare të Kursimit e kemi pritur në një nivel të mirë të depozitave të kursimit në vlerë prej 345 miliard denarë, apo 5.6 miliard euro, ku është një rritje prej 11 për qind nga sektori bankar i kursimeve. Bankat në të ardhmen duhet të sigurojnë më shumë mjete për projekte kapitale të cilat do të ndikojnë në rritjen e ekonomisë”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Guvernatorja e Bankës Popullore potencon se rritja e depozitave siguroi një bazë solide për rritjen e aktiviteteve huadhënëse dhe thellimin e ndërmjetësimit financiar për rreth tetë pikë përqindjeje në dhjetë vitet e fundit.
“Në 10 vitet e fundit depozitat e përgjithshme rriten me një shifër prej 8 për qind në vit, që ka sjellë rritje të ndjeshme të kursimeve për rreth 10 për qind të bruto prodhimit vendor, duke arritur në nivel prej 55 për qind të BPV-së. Fakti i rritjes së depozitave është besimi i qytetarëve në banka pa marrë parasysh lëkundjet ekonomike dhe politike si në vend por dhe rajon”,- deklaroi guvernatorja e BP-së, Anita Angelloska-Bezhovska.
Edhe përkundër rezultateve pozitive, shkalla e kursimeve të brendshme në Maqedoni rezulton nën mesataren dhe mes normave më të ulëta në krahasim me vendet e Evropës qendrore dhe juglindore. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
