Bogoevski: Do të thërrasim seancë për mandatin e Gruesvkit

30.10.2018 19:08

Kryetari i Komisionit për Çështje të Mandateve dhe Imunitetit, Pavlle Bogoevski....

Kryetari i Komisionit për Çështje të Mandateve dhe Imunitetit, Pavlle Bogoevski, ka konfirmuar kërkesën e gjykatës për marrjen e mandatit të deputetit, Nikolla Gruevski. Komisioni duhet të vendosë për mandatin e deputetit Gruevski pas vendimit për dënimin me burg prej 2 vjetësh për blerjen e mercedesit luksoz. Seanca në të cilën do të shqyrtohet kjo kërkesë duhet të caktohet brenda 15 ditësh.                                                                           

“Njoftimi zyrtar nga kryetari i Kuvendit na është dorëzuar dje dhe prej sot fillojnë të rrjedhin afatet sipas rregullores për caktimin e seancës. Sipas rregullores, Komisioni për Imunitet dhe Mandate duhet të thërret seancë në të cilën do të miratojë konkluzë e cila më vonë do të përcillet në seancë plenare në Kuvend. Në suaza të Komisionit, konkluza merret si e miratuar nëse për të votojnë shumica nga numri i përgjithshëm i anëtarëve. Nëse kjo konkluzë shkon në seancë plenare, atëherë duhen dy të tretat e shumicës që të miratohet kjo konkluzë”,- deklaroi kryetari i Komisionit për Çështje të Mandateve dhe Imunitetit, Pavlle Bogoevski.    

ARNAUDOV DHE VASILEVSKI, SI DO TË VOTOJNË PËR MANDATIN E GRUEVSKIT?

Për të siguruar dy të tretat e votave që Gruevskit t’i merret mandati, duhet të votojnë “për” edhe deputetët opozitarë që u larguan nga VMRO-DPMNE. Dy nga ky grup deputetësh të cilët akuzohen për “27 prillin” nuk dhanë përgjigje konkrete nëse do të votojnë për t’i marrë mandatin e deputetit ish liderit të tyre.                                                                                                                   

“Tani jemi në gjykatë të fokusuar në problemin që e kemi këtu, të dëshmojmë atë që duan të na imponojnë, se nuk është ashtu. Pastaj do të flasim për të tjera. Për në Kuvend duhet të shkojmë atje e pastaj t’u tregojmë se çka po ndodh, me të vërtetë nuk e di se çfarë po ndodhë. Nuk jam i njoftuar për atë dhe ne nuk mund të ndikojmë aspak. Edhe mua ma morën imunitetin, askush asgjë nuk më pyeti. Njeriu që e udhëheq seancën është direkt i involvuar në këtë proces si palë e përfshirë dhe ai është kryetar i atij Komisioni. Nuk ka logjikë”,- tha deputeti i akuzuar për “27 prillin”, Luben Arnaudov.                                                                                                                           

“Për herë të parë dëgjoj për këtë punë. Dalim nga gjykata, nuk kemi telefona e asgjë”,- theksoi deputeti i akuzuar për “27 prillin”, Sasho Vasilevski.   

AVOKATËT: TË SHTYHET SHKUARJA NË BURG E GRUEVSKIT

Por, avokatët e ish-kryeministri Gruevski kanë kërkuar shtyrjen e dënimit me burg, me arsyetimin se Gruevski duhet ta përfundojë mandatin e deputetit. Ata kërkesën e tyre e bazojnë te nenin 89 i Ligjit për zbatimin e sanksioneve, ku mes arsyeve për shtyrjen e mbajtjes së dënimit me burg thuhet se:  “nëse personi i dënuar është i obliguar të kryejë një punë të caktuar që tashmë e ka nisur dhe për shkak të mosangazhimit, kjo punë do të bënte dëm më të madh”.

Gjyqtarja për zbatimin e sanksioneve ka afat prej tri ditësh që të vendos nëse do të pranojë kërkesën dhe ta prolongojë shkuarjen e Gruevskit në burg. Në të kundërtën, Gruevskit do t’i duhet që më 8 nëntor të paraqitet në burgun e Shutkës që të vuajë dënimin prej dy vitesh burg për rastin “Tank”. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)