Moti i keq në Itali, vdesin 9 persona, evakuohen banorët
Stuhia natyrore ka gjunjëzuar Italinë duke shkaktuar viktima....

Stuhia natyrore ka gjunjëzuar Italinë duke shkaktuar viktima, shumë të plagosur e dëme të mëdha materiale.
9 persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i pemëve apo nga goditja e objekteve të forta në fluturim, ndërsa 1 person rezulton ende i humbur.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile informon se ka kryer mbi 5 mijë operacione ndihme të qytetarëve në vështirësi. Në 5 rajonet italiane shkollat janë mbyllur dhe gjatë ditës së sotme. Moti i keq ka shkaktuar vonesa në linjat hekurudhore, në lëvizjen e trageteve në porte e në shtyrjen e disa udhëtimeve ajrore në aeroporte.
Aeroporti i Xhenovas është mbyllur për shkak të përmbytjes së pistës së fluturimeve. Drejtoria e Mbrojtjes Civile informon se alarmi i motit të keq do të vazhdojë dhe për 24 orët e ardhshme.
Moti i keq ka përfshirë Adriatikun me erëra të forta dhe dallgë mbi 7 metra të larta. Janë bllokuar portet në Split të Kroacisë. Ndërkohë edhe në Shqipëri moti ka shkaktuar probleme, duke shkaktuar vonesa në portin e Durrësit, ku janë bllokuar nisjet e trageteve.
