Banka Botërore, 30 milion euro për përmirësimin e kapitalit njerëzor
Maqedonia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të nisin me reforma....

Maqedonia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të nisin me reforma për të përmirësuar kapitalin njerëzor, me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, u tha në konferencën rajonale të organizuar me rastin e 25 vjetorit të bashkëpunimit të Maqedonisë dhe Bankës Botërore.
Maqedonia nga Banka Botërore do të fitojë 30 milionë euro në përmirësimin e kapaciteteve të kapitalit njerëzor.
ZAEV: FËMIJËVE T’IU MUNDËSOJMË KUSHTE DINJITOZE
“Banka Botërore është partneri ynë që mbështet zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë përgjatë 25 viteve. Në frymën e kësaj teme, prezantuam edhe marrëveshjen tashmë të nënshkruar mes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore me vlerë prej 30 milionë euro për mbrojtje sociale dhe fëmijërore. Duhet t'i mbrojmë fëmijët dhe t’iu mundësojmë kushte dinjitoze dhe të barabarta, sepse ata janë kapitali ynë për të ardhmen”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas zëvendëskryetarit të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Siril Muller, ajo që i duhet rajonit është kapitali njerëzor, pasi prosperiteti i këtij vendi do të varet nga aftësia e këtij kuadri.
“Vendet guximshëm duhet të veprojnë në përmirësimin e aftësive të kapitalit njerëzor. Banka Botërore pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në gjendje të bëjnë përparim të vërtetë për të tejkaluar hendekun drejt standardeve evropiane”,- u shpreh zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Siril Muller.
TEVDOVSKI: FONDET NË KËTO FUSHA JANË INVESTIM PËR TË ARDHMEN
“Kur një vit e gjysmë më parë qeveria jonë mori detyrën, si prioritet vendosëm shëndetësinë, arsimin dhe çështjet sociale. Këto janë shtyllat e shoqërisë sonë. Si ministër, jam i bindur se fondet në këto fusha nuk duhet të shihen si shpenzime. Përkundrazi, janë investime me të cilat do të kemi përfitime afatgjate”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Tevdovski mes tjerash theksoi se Banka Botërore ka investuar gjithsej 433 milionë dollarë në projekte për zhvillimin e kapitalit njerëzor në Maqedoni, edhe atë në inovacione, modernizimin e sektorit të arsimit, reformën në arsimin e mesëm teknik profesional, dhënien e grandeve për të ndërtimit dhe rindërtimin e shkollave dhe kopshteve. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
