Maqedoni

OPM, 150 fatkeqësi në muaj ndodhin gjatë punës

31.10.2018 16:49

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Punësim, në Maqedoni mesatarisht ndodhin afër 150 lëndime të rënda gjatë punës, të cilat në disa raste janë edhe fatale....

Organizata e punëdhënësve të Maqedonisë propozon ndryshime në Ligjin për siguri dhe shëndet gjatë punës dhe kërkon që rol më i madh t’i jepet personave kompetentë nëpër kompani të cilat kanë kaluar provim për siguri dhe shëndet gjatë punës. Ajo gjithashtu kërkon të përcaktohet përgjegjësia e punëdhënësit dhe personit të obliguar për siguri dhe shëndet gjatë punës.
 
“Fatkeqësisht më shumë rol dhe ndikim në sigurinë dhe shëndetin  gjatë punës kanë marrë personat e jashtëm adekuatë dhe personat juridikë, ndërsa realisht disa prej tyre as që kanë hyrë në kompanitë, ndërsa bëjnë deklarata për përqindjen e sigurisë dhe rrezikut. Andaj vlerësojmë se duhet t’i jepet më shumë rëndësi personave kompetentë të cilët çdo ditë janë nëpër kompani dhe në mjedise të cilat duhet të analizohen”,- deklaroi kryetari i Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, Angell Dimitrev.
 
Sipas Këshillit nacional për siguri dhe shëndet gjatë punës, e rëndësishme është të implementohet strategjia dhe plani aksional për shëndet dhe siguri gjatë punës 20-20, por rol të veçantë të ketë Inspektorati i punës.
 
“Inspektorati shtetëror i punës patjetër duhet t’i përforcojë kapacitetet, kjo është detyrë e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Edhe në raportin paraprak të KE-së ishte një nga vërejtjet kyçe, Inspektorati i punës të drejtohet, të përforcohet dhe të veprojë ashtu siç duhet”,- tha kryetarja e Këshillit nacional për siguri dhe shëndet gjatë punës, Jovanka Bislimovska.
 
Nga Organizata e punëdhënësve potencojnë se nga të gjitha kompanitë e huaja vetëm një ose dy prej tyre kanë sindikata në vendin tonë, ndërsa të tjerat jo, edhe pse në kompanitë amë të tyre një gjë e tillë funksionon.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI