Amendamentet e partive shqiptare, Haliti: Në preambulë, Maqedonia shtet i qytetarëve

31.10.2018 17:48

Ish-nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti, deklaron se partitë politike shqiptare....

Ish-nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti, deklaron se partitë politike shqiptare për t’u avancuar çështjen shqiptare me kushtetutë, do të duhet të ndërhyjnë në preambulën e kushtetutës.

Në emisionin debativ në “Argument”, Haliti propozon që në preambulë të përfshihet termi Marrëveshja e Ohrit, pasi atëherë shteti do t’u takonte të gjithë qytetarëve pa i dhënë ekskluzivitet komunitetit maqedonas.

“Zgjidhjen në këtë moment që mos të ketë pasoja Marrëveshja e Prespës, as me Greqinë e as me të gjitha shtetet tjera fqinje, edhe me shqiptarët e kështu me radhë, Maqedonisë duhet t’i kthehet preambula që është e paraparë në Marrëveshjen e Ohrit, Maqedonia shtet i qytetarëve. Unë e kam të qartë se preambula nuk prodhon ligje, por preambula është fryma në çdo ligj që miratohet në Kuvendin e RM-së e kështu me radhë”,- tha ish-nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti.

VEJSELI: BASHKË DREJT NDRYSHIMIT TË PREAMBULËS

Ish-deputeti i PPD-së, Abdulhadi Vejseli, konsideron se për arritjen e këtyre ndryshimeve për të cilat edhe ekziston bazë ligjore, partitë shqiptare duhet të veprojnë të unifikuara me kërkesa të përbashkëta.

“Për të arritur deri tek këto ndryshime, për ta bindur edhe kryeministrin edhe qeverinë, edhe pjesën maqedonase se edhe ata binden, se edhe ata e shohin se kanë qenë gabim deri ditën e sotme, atëherë pikësëpari duhet të arrijmë pajtueshmëri të shkallës së lartë partitë politike shqiptare. Nëse nuk arrihet pajtueshmëri e shkallës së lartë mes shqiptarëve, të ulen shqiptarët që të bisedojnë për këtë çështje të preambulës të cilën e kanë si lëndë, e kanë si bazë për ta ndryshuar, ta dini se suksesi do të jetë shumë i vogël”,- tha ish-deputeti i PPD-së, Abdulhadi Vejseli.

XHELILI: GJUHA SHQIPE, DO TË SHTYHET PËR ZGJIDHJE

Zudi Xhelili, ish-deputet i PDSh-së, thotë se zgjidhja kushtetuese e gjuhës shqipe do të shtyhet dhe kjo do të zbardhet pas takimit midis Zaevit dhe liderëve të partive shqiptare opozitare.

“Dy partitë opozitare me siguri do të dalin me qëndrim pas takimit me kryeministrin. Nëse edhe ata hasin në mirëkuptim, argumentet dominojnë, atëherë do të bartet për një kohë të caktuar problemi i gjuhës shqipe, ndërkaq pa u zgjidhur nuk bën, për shkak se integrimi në NATO dhe BE nënkupton edhe gjuha shqipe, nënkupton edhe barazi të plotë”,- theksoi ish-deputeti i PDSH-së, Zudi Xhelili.

Ish të zgjedhurit e popullit komentuan edhe propozim ligjin e VMRO-së për amnisti të pjesëmarrësve në dhunën e 27 prillit. Aliti dhe Xhelili kundërshtojnë amnistinë. Vejseli thotë se falja e Zaevit do të shkrihet në amnisti, por kjo do të duhej të përfshinte edhe të burgosurit shqiptarë si pasojë e proceseve të montuara politike. (Meral Ismaili, TVM2)