Ndryshimet kushtetuese, Kasami: Të mbështetet kërkesa për barazi
Lëvizja Besa e Bilall Kasamit fton kryeministrin Zaev që në periudhën kur diskutohet për kombinime politike....

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit fton kryeministrin Zaev që në periudhën kur diskutohet për kombinime politike të merren parasysh edhe kërkesat e kësaj partie për barazi kushtetuese për shqiptarët me maqedonasit.
Sipas tyre, kutia e Pandorës një ditë duhet të hapet për të zgjidhur problemet e hidhura, ndaj bëjnë thirrje se është momenti i duhur të zgjidhet ky problem. Edhe nga Aleanca për Shqiptarët deklaratën e kryeministrit Zaev e quajtën tendencioze dhe cinike.
“Nëse kryeministri gjykon se në këtë moment kjo do të ishte hapja e kutisë së Pandorës, atëherë Lëvizja Besa dëshiron t’ia përkujtojë atij dhe opinionit në Maqedoni se pikërisht politika e Bypass –it i bën çështjet e hapura të hidhura dhe ato vetëm e ngarkojnë dhe e plotësojnë kutinë e Pandorës, e cila një ditë patjetër do të duhet të hapet”,- tha Bilall Kasami nga Lëvizja Besa.
BEXHETI: KËRKESAT E SHQIPTARËVE DUHET TË MBËSHTETEN
“Kryeministri Zaev, që u zgjodh kryeministër edhe nga votat shqiptare, nuk guxon që t’i shohë kërkesat e shqiptarëve si të këqijat e botës që dikur thuhej se kanë dalë nga kutia e Pandorës, do me thënë është tendencioze”,- theksoi Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se kur të hapet procedura parlamentare për ndryshimet kushtetuese do të kërkojnë nga partitë maqedonase dhe shqiptare t’i përkrahin amendamentet e Aleancës, për të cilat thonë se po punojnë akoma.
(Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
