Amendamentet kushtetuese, qeveria vazhdon konsultimet
Amendamentet për ndryshimin e kushtetutës nuk kanë qenë në agjendën e qeverisë....

Amendamentet për ndryshimin e kushtetutës nuk kanë qenë në agjendën e qeverisë në seancën e një dite më parë. Qeveria vazhdon konsultimet dhe koordinimin për amendamentet për ndryshimin e kushtetutës dhe pas aprovimit në këshillin e ministrave do të dërgohen në Parlament.
“Procesi është në vijim, koordinimi dhe konsultimet vazhdojnë dhe në kuadër të afatit të paraparë, kur të aprovojmë amendamentet do të mbajmë seancë qeveritare, do të njoftojmë opinionin dhe do t’i dorëzojmë në Kuvend”,- u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
INTEGRIMI NË NATO, QEVERIA MIRATON RAPORTIN PËR FILLIMIN E BISEDIMEVE
Dhe përderisa bëhen përgatitjet për ndryshimin e kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues të Republikës, vazhdon procesi i integrimit euroatlantik, gjithmonë në harmoni me Marrëveshjen e Prespës.
“Dje shqyrtuam dhe miratuam raportin për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e RM-së në NATO, që u mbajtën më 18 dhe 19 tetor. Pason faza e dytë, që do të ndodh në fillim të dhjetorit, rreth 5-6 dhjetorit kur fillon faza e dytë e këtyre bisedimeve dhe pas kësaj, në harmoni me planin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, do të pasojë takim i shefave dhe zëvendësve të shefave të misioneve anëtare në format 29+1 kur do të kalohet në nënshkrimin e protokollit për qasje. Pas nënshkrimit të këtij protokolli do të pasojë edhe ratifikimi i anëtareve të NATO-s”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Pas formimit të shumicës së cilësuar prej 80 deputetësh në Kuvendin republikan në mbështetje të propozimit të Qeverisë për hapjen e Kushtetutës, Marrëveshja e Prespës pritet të zbatohet brenda afateve dhe Maqedonia me emrin e ri “Maqedonia e Veriut” do të jetë anëtarja e 30 e NATO-s, sipas të gjitha gjasave, në pjesën e parë të vitit 2019.
Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme edhe në fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
