MASH: Përzgjidhni shkollat profesionale
Afati i dytë regjistrues për filloristët në shkollat e mesme publike, është më 21 gusht, ndërsa shpallja e rezultateve do të bëhet më 22 gusht, në tabelat e shpalljeve të shkollave.....
Në afatin e dytë të gushtit, ka rreth 20 mijë vende të lira, prej të cilave rreth 6 mijë në gjuhën shqipe.
“Vende të lira në afatin e dytë regjistrues, do të ketë sipas profileve në gjimnaz, 5127 vende, prej të cilave 3260 për nxënës me mësim në gjuhën maqedonase, 1576 me mësim në gjuhën shqipe, 257 për nxënësit në gjuhën turke dhe 34 për nxënësit në gjuhën serbe. Në drejtimet profesionale, ka gjithsej 14.818 vende të lira, prej të cilave 9980 për nxënësit në gjuhën maqedonase, 4355 për nxënësit në gjuhën shqipe, 482 për nxënës në gjuhën turke dhe në shkollat e artit, ka gjithsej 107 vende të lira, prej të cilave 69 me mësim në gjuhën maqedonase dhe 38 në gjuhën shqipe, gjithashtu edhe në Akademinë e Sportit, ka 37 vende të lira”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.
Ministri Ademi, doli sërish me apel deri te nxënësit, që të përqendrohen më shumë në shkollat profesionale, ku interesi për regjistrim është më i vogël edhe pse mundësia e gjetjes së punës pas shkollimit është më e madhe për një maturant të profilizuar.
“Do të doja të apeloja deri tek të gjithë filloristët, të gjejnë ndonjërën prej profileve të shkollave të mesme profesionale, për arsye se numri më i madh i kompanive që veprojnë në Republikën e Maqedonisë, kërkojnë kuadro teknikisht të edukuar dhe të përgatitur mirë, i cili mund të ballafaqohet me sfidat e zhvillimit të shpejtë teknologjik”- theksoi ministri Ademi.
Gjatë javës, pritet edhe shpallja e konkursit për regjistrim në universitetet publike të vendit. (Zejxhane Osmani, TVM2)
