Kuvend, deputetët shtruan pyetje për ekzekutivin

31.10.2018 19:28

Në seancën e sotme parlamentare “pyetje deputetësh”, pasuan replika dhe kundërreplika....

Në seancën e sotme parlamentare “pyetje deputetësh”, pasuan replika dhe kundërreplika mes deputetit të VMRO-së, Vllatko Gjorçev, dhe kryeministrit, Zoran Zaev, në pyetjen e deputetit Gjorçev se çfarë punoi kjo qeveri brenda këtij njëvjeçari për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në vend.    

“Ju zoti Zaev tregoni haptazi se çka keni bërë për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë. Në fshatrat dhe qytetet ku jetojnë shqiptarë në këto momente po ndodhë një eksod i madh dhe largim i cili nuk është parë në Maqedoni brenda 60 viteve të fundit. Shumë ju kanë përkrahur, kanë pasur besim te ju, por dëshpërimi është shumë i madh ndaj LSDM-së dhe ndaj jush si Zoran Zaev”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.

“Punën e parë të cilën e kemi bërë ka qenë barazia e të gjitha etniteteve në vend. Shqiptarët i barazuam dhe gjithë të tjerët në punën e Qeverisë dhe të institucioneve tjera, të gjithë banorët e Maqedonisë janë të barabartë. Kjo Qeveri po investon në të gjitha komunat pa bërë dallime, shqiptarët janë të barabartë në ndarjen e parave tek ndihmat sociale, sallat e sportit, kulturë dhe këta njerëz sot e shohin shtetin si të tyre. Obligimet dhe përgjegjësitë e shtetit i kanë të gjithë njëlloj dhe për këtë do të luftoj”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Pyetje për ekzekutivin parashtroi edhe deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, i cili kërkoi që rasti i cili njihet në opinion si “Alfa” të zbardhet dhe të kthehet në rishqyrtim, sepse tanimë ka edhe element të ri, e ajo është incizimet nga kamerat e sigurisë.

“Nga përgjigja të cilën e kemi marrë nga kabineti i kryeministrit, nga Byroja për Ekspertizë Ligjore për rastin “Alfa”, nuk ekziston në dokumentacionin e këtij institucioni që është lëshuar vërtetim se ky institucion nuk posedon mundësi apo aftësi institucionale për ta zbardhë video-incizimin e rastit “Alfa”. Faktet dhe argumentet po flasin se rasti “Alfa” është një rast i montuar. Zoti kryeministër, ne edhe si shumicë parlamentare, edhe ju e dhatë fjalën para opinionit se për këtë rast dhe për të gjitha rastet tjera të cilat janë të montuara, do të ripërsëriten”,- tha deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.

Kryeministri Zaev tha se shteti ligjor dhe sundimi i së drejtës do të duhet të vlejë për të gjithë njëlloj, përfshirë edhe të dënuarit në rastin “Alfa”.

“Apeloj të gjithë këto dokumente, tanimë të dala publike, avokatët e palës mbrojtëse t’i shfrytëzojnë në proceset gjyqësore dhe kjo është pjesë e drejtësisë, dhe sundimit të së drejtës, por edhe kërkesën për drejtësi dikush ta gëzojë me epilog përfundimtar. Në këtë drejtim mbetet edhe përqendrimi dhe fokusi i Qeverisë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Interesim të madh tërhoqi edhe pyetja e deputetit tjetër të VMRO-DPMNE-së, Iljia Dimovskit, i cili kërkoi nga kryeministri shpjegim se pse u ndaluan punimet në ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare, ku ai propozoi që komuna e Petrovecit të jetë lokacioni i ri, sepse në të në një radius prej 50-70 km jetojnë afër 790 mijë banorë, por shpjegimi i Zaevit ishte se lokacioni i tanishëm është shumë i ngulfatur dhe nuk kanë para të arsyeshme të investojnë afro 450 milion euro aty. (Fitim Kryeziu, TVM2)