Shkëndija e “zbehtë”, Renova e “sigurtë”
Uikendin të cilin e lam pas, u zhvilluan ndeshjet e xhiros së dytë në elitën e futbollit në vend, me ç`rast në pesë takime u shënuan gjithsejt 10 gola, që mund të merret si një efikasitet i kënaqshëm.....

Kryefjala e kësaj xhiroje u zhvillua në Shkup, në stadiumin “Filipi i Dytë”, ku forcat i matën dy pretendentët kryesorë për titullin kampion, Vardari I Shkupit dhe Shkëndija e Tetovës.
Në një ndeshje mesatare, tipike për futbollin tone, skuadra shkupjane shumë më lehtë se ç`është pritur shënoi fitore të lartë, me rezultat të thellë 3 me 0 dhe kështu arkëtoi tre pikët e radhës.
Shkëndija në këtë ndeshje ishte anemike, e plogësht dhe pos disa gjysëm rasteve për gol, nuk arriti të shënon bile një herë. Meqë takimi në fjalë nga ana e FFM-së qe cilësuar si i rrezikut të lartë, ndeshja në teren ishte mëse korrekte, ndërkaq në tribunat e stadiumit ku ishin tubuar pak më shumë se 2.000 shikues, si rëndom kur takohen këto dy ekipe, nuk munguan as ofendimet e ndërsjella apo refrenet të cilat tashmë jemi mësuar ti dëgjojmë dhe nuk I shërbejnë aspak etikës së futbollit. Sa I përket këtij takimi, do theksuar se nga Shkëndija u prit shumë më shumë dhe me siguri me kalimin e kohës skuadra tetovare do të gjej formën e duhur.
Gëzon fitorja e Renovës. Gjipsarët të shtunën në stadiumin rrëz Sharrit, aritën të mundin kampionin aktual shtetëror, Rabotniçkin e Shkupit, me rezultat 2 me 1. Futbollistët e Qatip Osmanit në këtë ndeshje luajtën mirë dhe në fund fitorja dhe pikët me meritë mbetën në Tetovë. Renova në këtë ndeshje luajti bukur dhe në asnjë moment nuk e solli në dyshim fitoren, e cila u takoi futbollistëve nga Xhepçishti i Tetovës.
Në tre takimet tjera, Metalurgu dhe Sileksi i ndan pikët duke luajtur baraz 1 me 1, ndërkaq Bregallnica dhe Pelisteri festuan minimalisht në transfertë, me rezultat 1 me 0, kundër Teteksit, gjegjësisht Horizont Turnovës.
Niveli i futbollit të demonstruar ketë xhiro ishte i kënaqshëm, ndërkaq disiplina poashtu në nivelin e duhur. Javën e ardhshme do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së tretë, me ç`rast Shkëndija do të përballet me Turnovën, ndërsa Renova me Sileksin. (Artan Ziberi, TVM2)
