Maqedoni
Përleshje mes dy familjeve në Kumanovë, një i vrarë e disa të plagosur
01.11.2018 16:00
Një i vrarë e disa të plagosur është epilogu nga përleshja e mbrëmshme mes anëtarëve të familjeve Maksuti e Latifi në Kumanovë....

Sipas burimeve policore, ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmë rreth orës 18:30 në rrugën “Tode Mendoll” në “Lagjen e trimave”, kurse në të kanë qenë të përfshirë më tepër anëtarë të të dyja familjeve, si: F. L. (19 vjeç), D. L. (18), F. L. (61), H. L. (23) dhe V. L. (48), kurse nga ana tjetër M. M. (55 vjeç), E. M. (49), M. M. (47), XH. M. (30), R. M. (28) dhe V. M. (57).
Sipas informatave nga policia, gjatë përleshjes është shtënë me armë zjarri, kurse janë përdorur edhe gjësende të forta. Gjatë të shtënave me armë është qëlluar V. M., i cili fillimisht është dërguar në spitalin e Kumanovës, prej nga urgjentisht është transferuar në Klinikat e Shkupit, ku fatkeqësisht nuk i ka përballuar plagëve të rënda dhe ka ndërruar jetë.
Plagë me armë të ftoftë ka marrë edhe M. M., kurse personat tjerë kanë marrë lëndime nga gjësende tjera të forta.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë prokurori publik dhe hetues policorë të SPB të Kumanovës, të cilët edhe sot po punojnë në zbardhjen e rastit. Disa nga personat e involvuar në këtë përleshje janë dorëzuar vetë në polici. Shkaqet e zënkës zyrtarisht nuk janë sqaruar por dyshohet se zënka është vazhdimësi e asaj të para dy muajsh mes këtyre dy familjeve.
FATLUM AQIFI
